Rishfaqet racizmi/ Champions, pezullohet PSG – Basaksehir

09/12/2020 12:40

Rishfaqet racizmi në futboll dhe pikërisht në ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes Paris Saint Germainit dhe Basaksehirit ku ndodhi më e pabesueshmja.

Ndeshja u ndërpre pas 16 minutave lojë për shkak të protestave të futbollistëve të të dyja skuadrave pas një fraze raciste të thënë nga arbitri i katërt që bëri që lojtarët e PSG dhe të skuadrës turke të braktisin fushën e lojës

Gjithçka nisi rreth minutës së 13 të ndeshjes kur zëvendës trajneri i Basaksehirit, Webo u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri rumun Hategan për protesta. Tekniku iu afrua arbitrit të katërt, Coltescu, që iu drejtua disa prej lojtarëve të skuadrës turke me epitetin ‘black guys’. Në këtë pikë, futbollistët e të 2 skuadrave vendosën që të braktisnin fushën e lojës. Ai që ndezi protestën në fushë për Basaksehir ishte sulmuesi Demba Ba që tha se dëgjoi Coltescun që të shqiptonte fjalën ‘zezak’ teksa iu referua zv/trajnerit Webo.

Në këtë mënyrë, Demba Ba me gjestet e tij iu kërkoi shokëve të skuadrës të braktisin fushën dhe sfida u pezullua përfundimisht. Ndërkaq, UEFA vendosi që kjo ndeshje të luhet sot në orën 18:55 që do të nisë që nga minuta e 14 dhe do të gjykohet nga një skuadër tjetër arbitrash. Për më tepër, qeveria e futbollit evropian bëri të ditur se do të bëjë hetime të thella për incidentin e shfaqur në sfidën mes Paris Saint Germainit dhe Basaksehirit.

Përsa i përket arbitrit Coltescu u shoqërua në dhomat e zhveshjes nga punonjësit e sigurisë dhe u bë e mundur që ai të mos ishte në kontakt me delegacionin turk. në lidhje me këtë incident ka reaguar edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan që nëpërmjet një postimi në Twitter dënoi frazën raciste që u tha në drejtim të Pierr Webo dhe shprehu besimin se UEFA do të marrë të gjitha masat e nevojshme

Top Channel