Kosova do të përfitojë 72.1 milionë euro nga shteti gjerman, prej tyre 34 milionë do të jenë grante, ndërsa tjerat kredi afatgjate. Kjo ndihmë që përfshinë ndërtimin e kolektorëve dhe shtrirjen e rrjetit të Termokosit u konsiderua se do të përmirësojë jetën e qytetarëve në mënyrë substanciale.

E gjithë kjo, erdhi pas nënshkrimit të sotëm të protokollit të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Federale të Gjermanisë.

Nënshkruesja e këtij protokolli, ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami tha se kjo ndihmë do të jetë në periudhën 2020-2021.

“Kap një ndihmë prej 72.1 milionë euro për periudhën 2020-2021. Prej këtyre mjeteve 34 milionë euro janë grante të cilat janë në projektet dhe institucione të ndryshme. Institucione të cilat me të vërtet kanë me përmirësu kualitetin e jetës së qytetarëve në mënyrë substanciale”, u shpreh ajo.

Krahas kësaj, shefja e kuletës së shtetit i bëri të ditura të gjitha projektet që pritet të financohen dhe bashkë financohen nga kjo ndihmë. Derisa u zotua se ekzekutivi do t’i dalë ballë zotimeve që projektet të ecin më shpejtë.

“Unë po e përmend projekte të cilat do të financohen, do të marrin mbështetjen nga granti 34 milionë. Janë ndërtimi i kolektorëve për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë në shumë prej 15.4 milionë euro. Janë trajtimi për mbeturina në Prishtinë dhe 6 komunave të tjera në shumë prej 7 milionë euro. Mbështetja për arsimin profesional në shumë prej 4.2 milionë euro, është mbështetja për stabilizim të tregut të punës në shumë prej 3 milionë euro. Kemi edhe mbështetjen në anëtarësimin në BE në shumë prej 2.8 milionë euro. Projektet që do të marrin kredi afatgjata me norma të interesit të subvencionuara nga qeveria Gjermane janë projektet dhe kompanitë si Termokosi për ngrohjen e më shumë qytetarëve të Prishtinës nga panelet solar. Ky është një projekt që do të financohen me 24 milionë euro, gjithashtu kemi zhvillimin e mëtutjeshëm të KOSTT-it me 13.5 milionë euro”, tha ajo.

E, ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde tha se vendi i tij është partner i besueshëm i Kosovës dhe se vendi i tij, do të vazhdojë t’i dalë krahë Kosovës përmes ndihmave të ndryshme.

“Ky bashkëpunim do të vazhdojë ende, ne do të vazhdojmë të jemi donatorët dhe investitorët më të mëdhenj në Kosovë. Të gjithë e dini që kemi më shumë komunitet të diasporës në Gjermani të cilët vijnë nga Kosova. Desha të theksoj gjithashtu se jemi partner të cilët jemi të besueshëm dhe qëndrueshëm në sektorët që i përmendi zonja ministre, si energjia e rinovueshme, infrastruktura e qëndrueshme. Kjo e përmirëson jetën e përditshme të Kosovës”, tha ai.

Mes tjerash në këtë marrëveshje u tha se shteti Gjerman deri më tani i ka ndihmuar Kosovës me rreth 730 milionë euro./KosovaPress/

Top Channel