Fotografi i protestave të dhjetorit/ Roland Tasho, dokumentoi ngjarjen historike të para 30 viteve

08/12/2020 19:48

30 vite më parë të rinjtë e asaj kohë bënë thirrjen; e duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Ata zhbënë rrugën e pakthyeshme të diktaturës dhe ëndërruan një Shqipëri demokratike. Por sot, tre dekada më pas, në përvjetortin e 8 dhjetorit, sa ka ndryshuar Shqipëria? Le ta shohim atë nëpërmjet imazheve me fotografin Roland Tashom që atë ditë ka fotografuar pa fund turmën e ngazëllyer.

 “Më ktheve 30 vite pas. E veçanta e asaj periudhe ishte që unë bashkë me moshatarët e mi ndërronim aq shumë sa mezi na zinte gjumi nga ëndrrat. Unë po isha i ri. Ndryshimin e donim të gjithë dhe për fat ish dhe me aparat në dorë. Bëra fotografimin e dhjetorit por edhe më pas gjithë lëvizjen. Që përveçse e fotografoja dhe e ndjeja” tha Roland Tasho.

Çfarë ndryshimi ka pas 30 vitesh?

“Ka shumë ndryshim. Ne bëmë një xhiro rreth unazës  dhe u kthyem përsëri në vendin ku u nisëm. Fakti që të rinjtë akoma duan të ikin dhe ikin nga Shqipëria, do të thotë që e paskemi shumë të vështirë të mbërrijmë në demokraci.”

Tasho ishte fotograf në një nga revistat më të mira të kohës. Nga ajo ditë ai kujton emocionin  e madh të turmës, por edhe atë personal.

Njerëz të lumtur. Të qeshur, të ngazëllyer më tepër, sepse izolimi ka qenë i tmerrshëm për ne. Thirrja buçiste në dejet tona: E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Top Channel