Natën e 8 dhjetorit 1990, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore e 90-tës. Të organizuar marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës.

Radhët e tyre u shtuan minutë pas minute dhe turma mbërriti deri në 1000 persona. Përkundër paraqitjes së forcave policore, studentët nuk u ndalën, duke bërë që Lëvizja Studentore në ditët në vijim të rritej.

Më 9 dhjetor, studentët i konfirmuan kërkesat presidentit të asaj kohe, Ramiz Alisë, ku kërkonin në vija të përgjithshme pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike.

Protestat vazhduan deri më 11 dhjetor në mbrëmje, kur në takim me Ramiz Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga takimi, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.

Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, duke kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin “Skënderbej” duke rrëzuar përfundimisht sistemin komunist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA