Shoqata e Klinikave DKG bën të ditur se spitalet në Gjermani po arrijnë kufijtë e kapacitetit për trajtimin e të sëmurëve nga Covid-19. Tani ka 40 përqind më shumë pacientë me COVID-19 sesa në pranverë.
“Në disa lande, si në Saksoni, numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv është pesë herë më i lartë sesa në prill. Atje klinikat po arrijnë kufijtë e kapaciteteve të tyre ose i kanë tejkaluar ato”, tha Gerald Gaß, Presidenti i Shoqatës së Spitaleve në Gjermani (DKG) për gazetën “Welt am Sonntag”. Në përgjithësi, ka 40 përqind më shumë pacientë me COVID-19 në repartet e kujdesit intensiv sesa në pranverë. Rreth 16.000 pacientë trajtohen në pavione normale. Kostot e kujdesit janë dukshëm më të larta se sa për pacientët e tjerë, shtoi Gass.
Edhe klinikat universitare, të cilat deri më tani kanë qenë në gjendje të pranojnë pacientë me Corona në gjendje të rëndë nga spitalet më të vogla, po i afrohen kufirit të mundësive në disa rajone. Kur merret parasysh edhe mungesa e personelit, marrja e pacientëve të tillë po bëhet edhe e më e vështirë.
Gaß hodhi poshtë kritikat se klinikat po e dramatizojnë gjendjen në mënyrë që të detyrojnë autoritetet që t’u japin më shumë ndihma financiare. Rivendosja e të ashtuquajturave tarifa për ruajtjen e vendeve të lira për trajtim intensiv, do të ishte një hap i mirë. Por mund të ndihmojë vetëm disa klinika, për shkak të “kritereve shumë kufizuese të shpërndarjes”. Në fakt, shumë spitale duhet të kufizojnë kujdesin për të sëmurët e tjerë, për shkak të shtimit të numrit të personave të sëmurë me COVID-19.
Qeveria federale i ka rifutur në nëntor tarifat për mbajtjen e vendeve të lira. Këto janë një lloj kompensimi financiar për spitalet, sepse ato detyrohen të shtyjnë operacionet që nuk janë urgjente, për të ruajtur vendet e lira për të infektuarit me virusin Corona. Ndryshe nga vala e parë e pandemisë Corona në pranverë, pagesat janë të lidhura me disa kritere që lidhen me situatën aktuale të Corona-s dhe rëndësinë e spitalit për kujdesin urgjent.
Mungesa e personelit
Gernot Marx, nga klinika universitare në Aachen, thotë se ende ka kapacitete për pacientët që vijnë nga spitalet tjera më të vogla. Por problemi më i madh është mungesa e personelit të cilët duhet të kudjesen për pacientët në repartet intensive. Në veçanti ku dihet se personeli mungon edhe në sektorët tjerë të spitaleve.
“Nuk është problem mungesa e shtretërve për trajtimin e pacientëve në gjendje të rëndë, por personeli i kualifikuar”, thotë Marx. Në faqet e internetit të shoqatave ekziston edhe një regjistër për trajtim intensiv. Këtu jepen raportet ditore për gjendjen e spitaleve dhe kapacitetet e lira për tratjimin intensiv të pacientëve në Gjermani.
Ndërkohë janë shënuar edhe rastet e para kur spitalet kanë refuzuar pranimin e të sëmurëve me COVID-19, për shkak të mungesës së kapaciteteve. Klinika në Dresden ka bërë të ditur se kapacitetet e tyre janë mbushur. Për pacientët tjerë në raste emergjente, në rast të ndonjë sulmi kardiak apo goditje cerebrale, por shumë operacione normale mundësisht duhet të shtyhen./DW/
Top Channel