Ish-ushtarakëve u falen borxhet/ Ligji në Kuvend. Përfitojnë 110 milionë lekë

07/12/2020 15:18

 “Problemi i pensioneve për ish-ushtarakët duket se do të marrë fund brenda këtij vitit.

Kuvendi ka miratuar projektligjin për faljen e të gjitha borxheve të krijuara nga sigurimet e pashlyera për pensionet nga ish-ushtarakët. Një propozim ky i kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, draft i cili pritet të lehtësojë ndjeshëm barrën e pensionistëve.

Sipas relacionit, drafti parashikon faljen e 110.7 milIonë lekëve, detyrime pa kosto financiare për buxhetin e sigurimeve shoqërore të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi.

Janë ndryshimet e shpeshta të skemës së sigurimeve të ndërmarra ndër vite ato që kanë çuar ushtarakët në dyert e gjykatave.

Sipas ligjit ushtarakët e dalë në rezervë apo liri pas vitit 1991 mund të merrnin një pension të parakohshëm deri në arritje të moshës së pleqërisë.

Por në 2016-ës Instituti i Sigurimeve Shoqërore me një vendim të Gjykatës së Lartë bën një rillogaritje të pensioneve duke nxjerrë kështu ushtarakët si debitorë ndaj ISSH-së.

Por, me ndryshimet e reja tashmë ISSH duhet të përllogarisë vlerën për çdo përfitues në bazë të diferencave që krijohen si pasoje e rregullave të ndryshuara në sigurime duke i zeruar ato.

Ndërsa për  çështje që janë paraqitur në gjykatë specifikon drafti, duhet të merret vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore për të bërë faljen e borxhit për secilin përfitues.

Nga detajet e relacionit të draftligjit, aktualisht janë në proces gjyqësore për rishqyrtimin e pensionit të parakohshëm 650 ushtarakë.

Top Channel