Hoti thotë se raporti i Parlamentit Evropian ishte ndërtuar mbi të pavërteta

07/12/2020 22:03

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se raporti i Parlamentit Evropian për “lajmet e rreme” është i ndërtuar mbi konspiracione dhe se Qeveria do të reagojë kundër këtij raporti, i cili sipas tij ka autorë njerëz që nuk janë në linjë me vlerat e Bashkimit Evropian.

“Raporti është i ndërtuar për të pavërteta dhe mbi konspiracione të caktuara mbi momente të caktuara gjatë kësaj periudhe dhe nuk meriton vëmendje. Shpresoj që PE s’do ta marrë parasysh. Nëse shihni autorët, ata nuk janë në linjë me vlerat e BE-së dhe kanë agjendat e tyre. Pres që në ditët e ardhshme të kemi reagim zyrtar nga BE”, tha Hoti në Pressing të T7.

Një studim mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në Parlamentin Evropian thotë se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan rënien e Qeverisë së Albin Kurtit.

“Vetë koalicioni ishte jetëshkurtër dhe u rrezua nga një operacioni dezinformues amerikan”, thuhet në studimin e publikuar, i cili u bë nga disa autorë evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET).

Dokumenti shpjegon angazhimin e presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe emërimin e emisarit special për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.

“I frustruar nga ajo që ai e pa si pengesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Grenell si duket aranzhoi që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova. Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim – i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan – në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti. Kjo lëvizje gjerësisht është dënuar në Evropë, përfshirë edhe përmes një demarshi të përbashkët të ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë. Ky shembull tregon se si një aktor i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejtësisht të trilluar dhe në këtë mënyrë të shtynte drejt ndryshimit të qeverisë”, thuhet në studim.

Më 20 prill, teksa ishte kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference online për mediat ndërkombëtare tha se mocionin e mosbesimit LDK-ja e kishte bërë në koordinim me Grenellin, duke argumentuar se qeveria e tij u rrëzua vetëm pse këtij të fundit po i ngutet të nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë.

Top Channel