Drita të purpurta ndriçojnë kutitë ku janë mbjellë lakra dhe barëra të tjera, që shumë shpejt do të lulëzojnë në një nga fermat vertikale më të mëdha në Evropë që është hapur në një magazinë të dikurshme, në një zonë industriale të Kopenhagenit.

14 kate rafte ngrihen nga dyshemeja deri në majë të kësaj godine gjigante 7 mijë metra katror të ngritur nga start-up i danez Nordic Harvest. Produkti i rritur këtu do të korret 15 herë në vit pavarësisht se asnjëherë nuk do të shohë dhe apo dritë dielli. Ambjenti ndriçohet me 20 mijë drita led të posacme. Në këtë fermë që duket sikur vjen nga e ardhmja, robotë të vegjël do të shpërndajnë farat nga njëri kat në tjetrin.

Kutitë e mëdha të aluminit, për momentin janë bosh, por lakrat dhe bimët e tjera do të rriten shumë shpejt.  Rreth 200 tonë produkt pritet të prodhohen në tre muajt e parë të 2021 dhe rreth 1 mijë tonë cdo vit kur ferma të arrijë kapacitetin e plotë, në fund të 2021. Të shfaqura për të parën herë rreth një dekadë më parë, fermat vertikale kanë shpërthyer tashmë në Azi dhe në shtetet e bashkuara, ku edhe ndodhen më të mëdhatë. Ideja tani duket se ka nisur të pëlqehet edhe në Evropë.

Top Channel