Kryeministri Edi Rama ka sjellë historinë e një 62-vjeçari nga Vlora i cili ka fituar betejën me koronavirusin.
Kastriot Karabolli ka rrëfyer eksperiencën e tij në betejën kundër këtij virusi ku shprehet se ka qenë i shtruar në terapi intensive në spitalin COVID 1 në Tiranë.
Ai thotë se ka pasur disa ditë simptoma të virusit dhe shkoi për të bërë skanerin e mushkërive prej së cilës rezultoi se ishte prekur 70% e saj.
“Unë jam Kastriot Karabolli nga qyteti i Vlorës, 62 vjeç. Jam një nga pacientët që kam kaluar koronavirusin. Nga padijenia e simptomave të këtij virusi, unë për 6-7 ditë qëndrova me atë kollën e fortë. Shkova bëra skanerin dhe më doli 70 % e bllokuar mushkëria. Shkova në shtëpi dhe mora urgjencën në telefon. Jam shumë i lumtur që brenda minutit mu përgjigjën. Nëse nuk do të shkoja në spital unë nuk do të isha këtu. Erdhi ambulanca më mori dhe më dërgoi në spitalin COVID 1 në spital. Sa shkova, ekipi i mjekëve dhe infermierëve më erdhën tek koka. Më bën intervistën dhe më futën direkt në terapi. Dëgjoj në televizor që thonë jo nuk i japin një pikë ujë dhe nuk i ndihmojnë. Turp të kenë ata që thonë kështu. Në spital të thoje që doje një pikë ujë të vinin 5 shishe, të vinin 3 infermierë. Unë them ato që kam parë me sytë e mi. Najada Çomo dhe ekipi i saj janë heronj, të vinin 3 herë në ditë për të të kontrolluar. Unë i përshëndes të gjithë mjekët nga zemra se ishin një shërbim shumë i mirë. Përveç trajtimit, edhe ushqimi ishte shumë i mirë pasi dëgjoj këta në intervista që thonë se nuk u japin as ushqim. Ata (mjekët) janë heronj dhe luftojnë me vdekjen. Qytetarët të besojnë më shumë tek mjekët. Unë theksoj që kjo është një betejë për jetën dhe duhet ta fitojmë të gjithë së bashku”, thotë Karabolli.
Top Channel