Zyrtarja që shërben si kontakti më i afërt i Presidentit Trump në Departamentin e Drejtësisë nuk do të lejohet të futet në ndërtesë, pasi u përpoq t’u bënte presion punonjësve të nxirrnin informata sekrete lidhur me manipulimet në zgjedhje dhe tema të tjera që ajo donte t’ia përcillte Shtëpisë së Bardhë, thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press tre persona të afërt me ngjarjen.
Heidi Stirrup, aleate e këshilltarit të presidentit, Stephen Miller, u vu pa bujë në Departamentin e Drejtësisë, për të shërbyer si ndërlidhëse mes këtij institucioni dhe Shtëpisë së Bardhë. Rreth dy javë më parë ajo u informua të largohej nga ndërtesa pasi zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë mësuan për përpjekjet e saj për të mbledhur informacion të brendshëm lidhur me hetimet e departamentit mbi manipulime në zgjedhje, thanë personat.
Zonja Stirrup akuzohet se u ka kërkuar disa punonjësve t’i japin informacion mbi hetimet, përfshirë mbi proceset lidhur me temën e manipulimeve në zgjedhje, thanë burimet e këtij informacioni, të cilët folën me kusht që të mbeten anonimë, pasi nuk kishin autorizim për ta diskutuar këtë çështje publikisht. Këto zhvillime ndodhin ndërkohë që Presidenti Trump vazhdon të këmbëngulë, pa ofruar prova, se ka pasur manipulime masive që rezultuan në fitoren e zotit Biden dhe se në fakt rezultati i vërtetë ishte në favor të presidentit.
Zonja Stirrup u kishte premtuar aleatëve politikë vende pune në pozita të larta në Departamentin e Drejtësisë, pa u konsultuar me zyrtarë të lartë në departamentet ku ishin pozicionet dhe gjithashtu është përpjekur të ndërhyjë në procesin e punësimit të zyrtarëve profesionistë të karrierës që përbën shkelje të politikave të punësimit në dikasteret shtetërore, përsëri sipas burimeve me njohuri mbi këto zhvillime. Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të bënte komente. Përpjekjet për të kontaktuar zonjën Sirrup nuk dhanë rezultat.
Në fillim të javës, Prokurori i Përgjithshëm William Barr tha për agjencinë e lajmeve AP se hetuesit amerikanë dhe FBI-ja kishin analizuar pretendimet e ngritura për parregullsi në zgjedhje dhe nuk kishin gjetur prova për manipulime të përhapura që do të kishin ndikuar tek rezultati. “Deri tani, nuk kemi parë mashtrime në një shkallë që do të kishte ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve,” tha ai të martën. Presidenti reagoi të enjten, duke thënë se Departamenti i Drejtësisë “nuk ka analizuar sa duhet” dhe e quajti punën e tyre zhgënjyese. Por presidenti nuk la të kuptohej se zoti Barr mund t’i ketë ditët e numëruara si Prokuror i Përgjthshëm.
“Më pyesni edhe një herë pas disa javësh,” tha presidenti, në përgjigje të pyetjes nëse ka ende besim tek zoti Barr. Presidenti po ashtu foli me kritika lidhur me deklaratën e zotit Barr se provat që ka prezantuar deri tani ekipi elektoral i zotit Trump janë pretendime që mund të ngrihen para gjykatave, por nuk përbëjnë krime federale. “Këto nuk janë shkelje të rëndomta, janë vepra penale,” tha zoti Trump. Zonja Stirrup, që ka qenë më parë një ndër figurat qendrore të politikave të administratës Trump për imigracionin, teknikisht është ende në postin e saj në Departamentin e Drejtësisë, sipas Zyrës së Personelit Presidencial.
Administrata e Presidentit Trump ka këmbëngulur që ndërlidhësit t’i raportojnë direkt Shtëpisë së Bardhë dhe jo agjencive ku punojnë. Në të gjithë administratën, janë shfaqur shqetësime se ndërlidhësit po ndërhynin jo vetëm në punën e ekspertëve të fushës në departmente specifike, por edhe të vetë të emëruarve të presidentit. Pak pas zgjedhjeve, zyra e personelit presidencial kishte udhëzuar ndërlidhësit të shkarkonin të emëruarit politikë që mund të kishin filluar të kërkonin punë tjetër, në përgatitje për tranzicionin në administratën e re, ndërkohë që presidenti ende nuk pranon të njohë rezultatin e zgjedhjeve. Mandati i Presidentit Trump përfundon në mesditën e 20 janarit. Disa mijëra të emëruar politikë në të gjithë institucionet federale do të humbasin punën atë ditë.
Zyra e personelit të Shtëpisë së Bardhë është kryesuar nga ish-ndihmësi personal i presidentit, John McEntee, i cili ka vazhduar fushatën e presidentit për të flakur nga administrate ata që konsiderohen si “jo besnikë” ndaj zotit Trump. Në Shtator, Sekretari i Strehimit dhe Zhvillimit Urban, Ben Carson pa dashje bëri të njohur revoltimin e tij nga zoti McEntee, kur u kap në kamera një shënim në fletët e një fjalimi që po lexonte.
Në një koment lidhur me zyrën e personelit presidencial, zoti Carson kishte shkruar “Nuk më pëlqen se si kjo zyrë po e trajton agjencinë time”. Zonja Stirrup ka shërbyer më parë si drejtoreshë në detyrë e zyrës për sistemimin e refugjatëve dhe ka qenë edhe zëvendës ndërlidhëse mes Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shëndetësisë./VOA
Top Channel