Zyrtare! Finalja e “Conference League” në Shqipëri, “Air Albania Stadium” gati

03/12/2020 17:48

Finalja e Conference League do të zhvillohet në “Air Albania Stadium”. Kompeticioni më i ri i UEFA-s, që merr udhë sezonin e ardhshëm, është i treti për nga rëndësia, pas Champions League dhe Europa League.

Një vendim historik për vendin tonë, ndërkohë që FSHF për të arritur te ky objektiv kishte hequr dorë nga gara për finalen e Superkupës së Europës. Ky vendim u mor sot nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, pjesë e të cilit është edhe Armand Duka, kreu i FSHF.

“FSHF sjell në Shqipëri një finale të madhe europiane! “Air Albania Stadium” mirëpret finalen e “Conference League” në vitin 2022! Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur sot përmes video-konferencës dhe mori një vendim historik për Shqipërinë!

Finalja e “UEFA Conference League”, turneut më të ri europian për klube që do të nisë sezonin e ardhshëm, do të zhvillohet në stadiumin kombëtar
“Air Albania” në vitin 2022! Kjo është hera e parë në historinë e sportit shqiptar që vendi mirëpret një finale europiane të këtyre përmasave.

Shqipëria ishte një nga kandidatet kryesore për zhvillimin e kësaj finaleje, por arriti të lërë pas Irlandën e Veriut dhe Finlandën. Në këtë mbledhje historike mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i cili ka pasur një rol kyç duke lobuar vazhdimisht për këtë vendim.

Gjatë mbledhjes Presidenti Duka falënderoi të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për mbështetjen që po i japin Shqipërisë dhe në veçanti futbollit shqiptar. Një event i këtyre përmasave është një mundësi fantastike promovimi për Shqipërinë, që do të jetë në qendër të vëmendjes për disa ditë me radhë.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori edhe disa vendime të tjera në mbledhjen e zhvilluar sot në lidhje me finalet e kompeticioneve të UEFA-s”, shkruhet në njoftimin e bërë nga FSHF në rrjetet sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA