Dita e personave me aftësi ndryshe/ Protestë sensibilizimi, “na privohen shumë të drejta”

03/12/2020 15:37

Në Durrës, personat me aftësi të kufizuar hasin vështirësi të shumta për shkak të barrierave me të cilat përballen në jetën e tyre të përditshme, ndaj më 3 dhjetor në ditën e tyre ndërkombëtare ata ngrenë zërin për problematikat dhe më shumë vëmendje nga pushteti dhe e gjithë shoqëria.

“Në 30 vjet është bërë shumë pak në realizimin e të drejtave tona. Kemi një qytet me infrastrukturë të papërshtatshme për të verbëritë. Nuk ka semaforë akustikë, shirita vizues. Trotuaret janë të bllokuara me pengesa të vendosura dhe që janë mundësi për t’u dëmtuar të verbrit ndaj ata s’kanë fare mundësi të aksesojnë qytetin e Durrësit në mënyrë të pavarur, pa shoqërues”, tha Saimir Farrici, kryetar i shoqatës “Shpresë për të verbërit”.

Në Durrës, Adivije Hoxha thotë se qendrat e punës dhe shumica e institucioneve publike shëndetësore, arsimor e dhe kulturore janë të pa aksesueshme për ta. Ajo vetë është dhe poete, e apasionuar pas librit dhe fuqisë së tij, por nuk ka mundur asnjëherë të frekuentojë bibliotekën e qytetit. Ajo është kthyer në një zë të fortë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në qytetin bregdetar.

 “Ne kemi të drejta të barabarta dhe jemi këtu për të kërkuar zbatimin e kuadrit ligjor dhe për të sjellë në vëmendje se si pjesë e shoqërisë duam më tepër ambiente të përshtatura, më tepër lëvizshmëri, punësim, jetesë më dinjitoze dhe njerëzore dhe jo pagesë që na jepet si lëmoshë. Ne nuk jemi lypsarë, ne jemi pjesë e shoqërisë, prandaj kërkojmë punësimin dhe integrimin në shoqëri, ndaj kërkojmë një shoqëri të barabartë dhe dinjitoze.” Adivije Hoxha, Kryetare e shoqatës së paraplegjikë-tetraplegjikëve Durrës.

Durrësi numëron 11.883 persona me aftësi ndryshe, të cilët jetojnë mes vështirësive ekonomike e sociale dhe mes barrierave shoqërore dhe infrastrukturore që i bëjnë të ndjehen të diskriminuar dhe të pa integruar.

 

Top Channel