Bashkëprodhim në fushën e kinematografisë/ Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje ndërshtetërore

03/12/2020 11:21

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Vlora Dumoshi dhe Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy kanë nënshkruar sot marrëveshjen ndërshtetërore, e cila do të rregullojë dhe promovojë bashkëprodhimin filmik mes Kosovës dhe Turqisë.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim që të përcaktojë bazat që kanë të bëjnë me prodhimin e përbashkët të filmit dhe serive televizive.

Me qëllim të zbatimit dhe funksionimit efektiv, marrëveshja përcakton themelimin e nënkomisionit për bashkëprodhimet e filmave dhe serive televizive, të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve kompetente të secilës palë dhe të bashkëkryesuara nga palët.

Ministrja Dumoshi është shprehur shumë e lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

“Kjo marrëveshje përtej detajeve dhe modaliteteve që përcakton, ka një rëndësi të madhe për bashkëpunimin kulturor, sidomos atij në fushën e kinematografisë, midis Kosovës dhe Turqisë dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve”, ka theksuar ministrja Dumoshi.

Top Channel