Vjosa Osmani shërohet nga Covid-19/ Kosova regjistroi 555 raste të reja dhe 14 viktima në një ditë

02/12/2020 19:13

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi se është shëruar nga koronavirusi dhe se është rikthyer në zyrën e saj në presidencë, për të vazhduar me angazhimet e veta.

Osmani qëndroi dy javë në vetizolim dhe aktivitetet i ka zhvilluar kryesisht online.

“Kam bërë thirrje gjithnjë e tani pas ekperiencës sime dhe të familjes sime me virusin, ju lutem sërish që të bëni kujdes të shtuar e të vazhdueshëm. Tashmë virusi është çdokund. Ne ishim me fat ta luftojmë virusin me sukses, por, fatkeqësisht, ky nuk është fati i të gjithëve”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Të martën, pas një takimi të Komitetit për Menaxhimin e Situatës me Pandeminë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se “situata me pandeminë në Kosovë është mjaft serioze, por nën kontroll”. Ai paralajmëroi se masat aktuale do të mbeten  në fuqi dhe se për festat e fundvitit do të ketë masa tjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Rreth dy javë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e lirë në disa komuna nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit. Gjatë 24 orëve të fundit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 14 jetë të humbura nga sëmundja dhe 555 raste të reja me koronavirus. Shqetësues konsiderohet fakti që spitalet rajonale në vend vazhdojnë të kenë mungesë oksigjeni, ndërsa numri i pacientëve që kanë nevojë për të është i madh.

Prej disa muajsh, spitalet rajonale kanë shprehur nevojën për furnizim shtesë me oksigjen, por nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë marrë ndihmë për shkak që sipas saj, furnizimi është kompetencë vetëm e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës.

Top Channel