Trajner i Kukësit mposht Covid-in, gati t’i rikthehet ekipit

02/12/2020 10:57
Skënder Gega dhe mjeku

Trajner i Kukësit, Skënder Gega do të kthehet sot në Shqipëri, pas një jave qëndrimi në Turqi për t’u kuruar nga koronavirusi.

Ai udhëtoi për në Turqi pas përkeqësimit të gjendjes. Lajmin për kthimin e tij e bëri klubi i Kukësit me anë të një postimi në rrjetet sociale ku bëri të ditur edhe disa detaje.

Sipas postimit, Skënder Gega është kuruar nga një doktor shqiptar i quajtur Gersi Alisha në Turqi. Pas 21 ditësh nën mbikëqyrjen e mjekëve, përfshirë edhe periudhën në Shqipëri, Gega më në fund mposhti koronavirusin.

 “Trajneri Skënder Gega ka lënë sot spitalin! Duke parë ecurinë pozitive, efektin dhe rezultatet pozitive të terapisë, doktorët kanë dalë në konkluzion dhe falë progresit pozitiv që ka qenë shumë i shpejtë duke rregulluar të gjitha parametrat, është lejuar të fluturojë drejt Tiranës. Gega mbërrin sot në Rinas në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe shumë shpejt do t’i bashkohet ekipit. Gega u kurua në BHT Clinic dhe doktori specialist që e ndoqi me shumë përkushtim ishte shqiptari Gersi Alisha. Në emër të klubit të Kukësit e falënderojmë. Welcome back Gega”, njofton klubi i Kukësit.

Gega u konfirmua pozitiv me COVID në datën 8 nëntor dhe u dërgua në Turqi më 25 nëntor pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua.

 

Top Channel