Opozita maqedonase e sulmoi ashpër kryeministrin Zoran Zaev me pretendimin se shiti “interesat kombëtare në bisedimet me Bullgarinë”. Për këtë arsye, ndjekës të saj bllokuan për rreth dy orë trafikun në Shkup.
Me moton “Për shpëtimin e së ardhmes maqedonase dhe për të ardhmen e popullit maqedonas”, protestat janë mbajtur para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe para qeverisë.
“Populli duhet të dijë të vërtetën, partia më e madhe e opozitës duhet të dijë të vërtetën se për çfarë po bisedohet në Sofjen”, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Ai ka përsëritur qëndrimin se “VMRO-DPMNE-ja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Bullgarinë, në rast se më të qeveria dëmton interesat kombëtare, gjuhën maqedonase, kombin maqedonas si dhe nëse heq dorë nga pakica maqedonase në Bullgari”.
Më herët, deputeti i kësaj partie, Antonio Milloshoski, ish ministër i Jashtëm kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, Zoran Zaev, ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov duke akuzuar për negociata të fshehta me Bullgarinë, në dëm të interesave të Maqedonisë së Veriut. Pretendimet e opozitës janë hedhur poshtë nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit, Zoran Zaev që e akuzoi nga ana e saj VMRO DPMNE-ja se “punon për shërbime të huaja në dëm të shtetit”.
Top Channel