Lufta për presidentin/ PDK-ja: Të jetë nga radhët tona!

02/12/2020 17:12

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, tha se deputetët e kësaj partive nuk do ta votojnë asnjë kandidat për president nga radhët e partive të koalicionit qeverisës.

“S’kemi vota për asnjë kandidat që vjen prej partive në pushtet. Nëse kërkohen votat e PDK-së atëherë edhe kandidati duhet të jetë i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Hoxhaj në një konferencë për shtyp në Prishtinë, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.“PDK-ja është në opozitë, mbetet në opozitë, por janë katër ose pesë tema të karakterit kombëtar ku kërkohet konsensus”, shtoi Hoxhaj.

Në Kosovë brenda disa muajsh duhet të emërohet presidenti i ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Specializuar. Ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj. Partnerët e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat) kanë edhe pesë muaj kohë qe te bien dakord për zgjedhjen e kreut te ri te shtetit. Deri tani, vetëm lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur hapur synimin për t’u bërë president i vendit, por nuk është mbështetur nga LDK-ja.

AAK-ja ka thënë në vazhdimësi se nëse kandidati i tyre nuk zgjidhet president, atëherë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.Sipas Kushtetutës zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Top Channel