Mbyllet në fund të vitit 2020 një prej koncesioneve më të debatuara, ai i kolaudimit të makinave. Për vite me radhë ky koncesion ka shkaktuar kosto të larta e radhë të gjata për qytetarët, duke prodhuar njëkohësisht edhe skema korrupsioni në kushtet kur SGS Albania ishte e vetmja kompani që ofronte këtë shërbim të detyrueshëm.

Tashmë prej 1 janarit të vitit të ardhshëm kontrolli teknik i mjeteve rrugore do t’i kalojë shtetit dhe do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor që do të ofrojë këtë shërbim.

Vendimi është zyrtarizuar nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku ka njoftuar se pas kalimit të tij te shteti do të ketë lehtësimin për këtë shërbim për 630 mijë automjete.  Më konkretisht, tashmë drejtuesit e mjeteve të reja me 0 km nuk do të kryejnë kolaudimin për 3 vitet e para, ndërsa për mjetet e përdorura do të zgjatet afati i këtij shërbimi 1 herë në dy vjet, nga 1 herë në vit që kryhet aktualisht. 

Lehtësi do të ketë edhe për taksitë, autoshkollat si dhe mjetet e transportit të mallrave e udhëtarëve që duke nisur nga 1 janari 2021 do të kryejnë këtë shërbim një herë në vit, nga çdo 6 muaj që është bërë deri më tani.

Sa i takon tarifave, kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të tyre dhe do të mbeten në fuqi ato aktuale.  Për gati 11 vite kontrolli teknik i automjeteve është kryer vetëm nga kompania SGS Albania, e cila është bërë jo rrallë herë objekt hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës dhe vetë Ministria e Infrastrukturës nga vlerësimet e saj ka deklaruar se nuk ka patur përmirësim në ofrimin e shërbimeve.

“Qeveria ka projektuar në buxhetin e vitit të ardhshëm një koncesion të ri për mbikëqyrjen e qendrave të kontrollit të kolaudimit të mjeteve që arrin vlerën e 20.2 miliardë lekëve ose 163 milionë euro. Mbetet për t’u parë nëse kjo kontratë do të zbatohet apo do të hiqet nga tabelat e buxhetit.” 

Top Channel