Shënohet sot Dita Ndërkombëtare e AIDS-it, në kohën kur një pandemi krejt tjetër ka përfshirë botën. Drejtorja ekzekutive e Programit të Kombeve të Bashkuara për HIV dhe AIDS, Winnie Byanyima, ka thënë se njerëzit duhet të kujtojnë përvojën me viruset ndaj të cilave nuk ka imunitet njeriu, siç është HIV, teksa shpresojnë për vaksina kundër koronavirusit dhe të “sigurojnë se ato nuk do të jenë privilegje të personave të pasur.
Ajo tha se bota duhet të mësojë nga gabimet e reagimit ndaj HIV-it “kur miliona njerëz në shtetet në zhvillim, humbën jetën duke pritur për trajtim”. Ajo ka shtuar se koronavirusi është duke zgjeruar pabarazitë që tashmë ekzistojnë dhe është duke kërcënuar përparimin që është bërë në shëndetësi dhe zhvillim në 20 vjetët e fundit, duke përfshirë edhe përparimin e bërë për HIV.
Ky program ka paralajmëruar se pengesat që janë krijuar në shërbimet shëndetësore si pasojë e pandemisë së koronavirusit, mund të rezultojnë me 293,000 infektime me HIV dhe rreth 148,000 vdekje të lidhura me AIDS-in deri më 2022. Vitin e kaluar, 12 milionë persona që jetojnë me virusin HIV, nuk kanë pasur akses në ilaçe, sipas raportit vjetor të këtij programi. Në raport është thënë se 1.7 milion njerëz janë infektuar me HIV në 2019, sepse nuk kanë pasur akses në shërbime thelbësore. Aktualisht, më shumë se 38 milionë njerëz në gjithë botën janë të infektuar me HIV. Pandemia AIDS ka vrarë rreth 33 milionë njerëz që nga shpërthimi në 1980. Dita Botërore e AIDS-it shënohet më 1 dhjetor që nga viti 1988.
Top Channel