Komisioni i Sigurisë Kombëtare rrëzoi Dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 11.841, datë 20.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit, të ndryshuar”.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka shpjeguar pozicionin e Ministrisë së Brendshme dhe të Qeverisë ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, i cili ka kthyer ndryshimet e bëra në ligjin për Policinë e Shtetit. Ministri Lleshaj ka argumentuar paqëndrueshmërinë e arsyetimeve të Presidentit dhe ka kërkuar nga deputetët ta rrëzojnë dekretin. Lleshaj është shprehur se Policia e Shtetit ka nevojë për atribute e kompetenca shtesë, pasi ndryshimet janë të stadit fillestar, krahasuar me ato të policive europiane. Ministri, pas fjalës së mbajtur u është përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve në lidhje me brendinë e ndryshimeve të miratuara tashmë.

Përmbledhje e argumenteve të ministrit Lleshaj në mbledhje:

Ne, si Ministri e Brendshme i kemi studiuar me durim argumentet e paraqitura në shpjegimet që shoqërojnë dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin në Kuvend të Ligjit 133/2020, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit”. Në tekstin e paraqitur, shihet qartë përpjekja e Presidentit për të legjitimuar një konkluzion politik absurd që qeveria është kërcënim për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ndaj organet e varësisë së saj nuk duhet të kenë kompetenca ligjore. Kjo është teza kryesore e gjithë artikulimit të Presidentit.

Po të zbresim nga rrafshi parimor, politik, konkret, shohim qartë se të gjitha arsyetimet kundër dhënies së kompetencës për mbikëqyrje të veçantë vizuale Policisë së Shtetit në mjedise publike, mbështetet në një keqinterpretim skandaloz të neneve 221 dhe 222 të Kodit të Procedurës Penale, si edhe në shtrembërimin e hapur të dispozitave të parashikuara në ligjin për Policinë e Shtetit, që është objekt i diskutimit të sotëm.

Edhe ne e kemi mbështetur gjithë argumentimin tonë pikërisht te ky nen, dhe nisma për ndryshimin e ligjit për policinë është mbështetur të neni 221 i K. Pr. Penale. Presidenti ka harruar me apo pa dashje një fakt të rëndësishëm, pikën 5 të këtij neni, ku thuhet: “përgjimi parandalues rregullohet me ligj të veçantë. Rezultat e tij nuk mund të përdoren si provë”. Kjo pikë e nenit është në fuqi, edhe se Presidenti përdor në mënyrë spekulative pikat 1-4.

Në fakt K. Pr. Penale ka urdhëruar që në ditën e parë të hyrjes në fuqi të tij, që në Shqipëri të kishte një ligj të veçantë që rregullonte përgjimin parandalues. Për çështjet e mbikëqyrjen e veçantë vizuale apo zanore, ose përgjimin ambiental në Shqipëri kjo gjë ende nuk është rregulluar nga një ligj i veçantë, ashtu siç kërkon K. Pr. Penal prej vitesh.

Një pyetje për Presidentin e Republikës, a e dini se si është zbatuar 221/5 e K. Pr. Penale në Shqipëri? Cili është ai ligj i veçantë, i urdhëruar nga ky nen, që e rregullon mbikëqyrjen e veçantë? Me shumë pak përpjekje çdokush mund të dalë në përfundim se ky ligj i veçantë nuk ekziston. Dhe Policia e Shtetit nuk i zotëron disa atribute që janë normale për çdo polici në një vend demokratik. Ky ndryshim i ligjit synon pikërisht përmbushjen e këtij vakumi ligjor, rregullimin ligjor të mbikëqyrjes së veçantë vizuale apo zanore, në mjedise publike në kuadër të veprimtarisë parandaluese të Policisë së Shtetit.

Ndryshimi i ndërmarrë nga qeveria është plotësisht në përputhje dhe në vijim të urdhërimeve të K. Pr. Penale, për të rregulluar mbikëqyrjen e veçantë parandaluese me një ligj të veçantë. Dhe ligj i veçantë është pikërisht kjo ndërhyrje që bëhet tani.

Thelbi i rregullimit të veçantë konsiston në faktin që Policisë së Shtetit i është dhënë autorizimi për të kryer mbikëqyrje të veçantë vizuale, jo zanore, në mjedise publike, në kuadër të veprimtarisë së saj për parandalimin e kryerjes së veprave penale. Në zbatim e Kodit të Procedurës, rezultatet e kësaj veprimtarie nuk mund të përdoren si provë. Ato shërbejnë vetëm për parandalimin e veprave penale.

Kontrolli të cilit i nënshtrohet policia gjatë këtij procesi, qëndron në faktin që:
Së pari, kushtet, rregullat, procedurat dhe afatet që do të zbatohen për mbikëqyrjen e veçantë përcaktohen në një udhëzim të përbashkët nga ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pra janë 3 autoritete që hartojnë rregullat, procedurat, standardet, afatet.
Së dyti, ministri përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kontrollojnë në çdo kohë zbatimin e rregullave dhe procedurave.

Tentativa për të ngatërruar në mënyrë spekulative veprimtarinë parandaluese që është atribut bazë i policisë, nga veprimtaria procedurale, që është atribut i prokurorisë qëndron në thelb të argumenteve të sjella nga Presidenti i Republikës.

Janë tre autoritet kontrolli, MB përmes SHÇBA-së që është një strukturë ligjore, mbikëqyr funksionimin ligjor të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, duke e bërë në fakt “zero” argumentimin e Presidentit, se nuk ka kontroll mbi policinë për këtë atribut të dhënë.
Aludimet e Presidentit të Republikës për shantazh policor apo përdorim të të dhënave janë thjesht produkt i fantazisë.

Atributet që i jepen Policisë së Shtetit në kuadër të këtij ligji janë elementare, krahasuar me ato që kanë policitë europiane në kuadër të parandalimit të krimit dhe terrorit.
Ne duhet të ndërmarrim hapa të mëtejshëm ligjorë për dhënien e autorizimeve të reja për policinë, si ato për përcaktimin e identitetit dhe vendndodhjes së mbajtësve të telefonave celularë dhe për qasje ligjore ndaj përmbajtjes së komunikimit përmes platformave të ndryshme elektronike të shkëmbimit të mesazheve, nëse duam të zbatojmë standarde të natyrshme për policitë e tjera europiane.

Përpjekja për të krijuar një antagonizëm parimor mes policisë dhe të drejtave të njeriut, në kushtet e një shoqërie demokratike, është pa kuptim. Shqetësimi i Presidentit lidhet me Komitetin Kombëtar të Politikave për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar. Presidenti krijon fakte të rreme dhe më tej u referohet atyre, për të arritur në përfundime absurde.

Sipas logjikës së argumenteve të dekretit të Presidentit prokurorët e SPAK nuk duhet të bashkëpunojnë me punonjësit apo me drejtuesit e Policisë së Shtetit sepse kjo prokurori e ka kompetencë lëndore hetimin e rasteve të korrupsionit në radhët e policisë. Po të ndiqet ky lloj arsyetimi paragjykues i bie që prokurorët e SPAK të mos komunikojnë me askënd. Secili mund të jetë potencialisht subjekt i kompetencave lëndore, po përdor gjuhën e Presidentit i hetimit nga SPAK.
As SPAK dhe asnjë organ tjetër i ndjekjes penale nuk mund të konsiderojnë si të dyshuar apriori asnjë qytetar të këtij vendi, ku përfshihen edhe drejtuesit e institucioneve apo edhe vetë Presidentin.

Asnjë argument paragjykues dhe asnjë dyshim apriori dhe kolektiv ndaj institucioneve kushtetuese të vendit nuk mund të qëndrojë si argument për të penguar prokurorët nga pjesëmarrja në tryeza apo forume të domosdoshme për interesin e vendit dhe qytetarëve.

Ka vende me traditë të gjatë demokratike dhe të konsoliduar ku prokurorët janë pjesë integrale e ekzekutivit dhe kjo nuk e ka dëmtuar aspak demokracinë e tyre, madje e kundërta e ka ndihmuar. Për këtë arsye demokracia nuk do të dëmtohet as tek ne, nëse prokurorët do të duhet të flasim me qeverinë ndonjëherë për çështje të interesit të përbashkët.

Pjesë e detyrave të Policisë së Shtetit është parashikuar edhe zbatimi i detyrave në shërbim të administrimit të qetë dhe të rregullt të proceseve zgjedhore. Presidenti i ka lejuar vetes deduktimin se, citoj: “kjo gjë krijon shteg që në praktikë edhe gjatë procesit zgjedhor Policia e Shtetit mund të keqpërdoret për të survejuar kundërshtarët politikë të forcave qeverisëse dhe intimiduar qytetarët apo mbështetësit e tyre”.

Pra, sipas kësaj logjike meqë Policia paska një detyrë të dhënë nga ligji, ajo mund ta keqpërdorë atë ndaj kundërshtarëve politikë! Është vendi këtu për ta refuzuar si të papranueshëm dhe të padenjë aludimin presidencial se policia qenka një instrument i qeverisë kundër kundërshtarëve të saj politikë.

Jo! Policia është një institucion në shërbim të publikut dhe jo të partive politike. Kjo gjë garantohet nga ligji dhe provohet nga praktika e përditshme, ku angazhimi politik i policisë në mbështetje të një force politike dhe kundër një tjetre, deri tani ka mbetur në nivel insinuatash politike të paprovuara ndonjëherë.

Policia e Shtetit dhe punonjësit e saj nuk konkurrojnë në zgjedhjet politike dhe nuk ka asnjë lloj interesi për t’u bërë palë në këtë proces. Por mbi të gjitha çdo përfshirje eventuale e elementëve, apo e punonjësve të caktuar të policisë si palë në procese zgjedhore, ndalohet dhe penalizohet nga një sërë dispozitash ligjore në fuqi.

Vlerësime të shumta të pavarura e provojnë faktin se Policia e Shtetit është një ndër institucionet më të besuara të Shqipërisë nga publiku, dhe kjo është një garanci tjetër përveç atyre ligjore, që ajo nuk mund të keqpërdoret politikisht nga askush.

Në vlerësimin tim kthimi i ligjit për Policinë e Shtetit nga Presidenti është tjetër akt me natyrë të mirëfilltë politike dhe vetëm politike nga ana e tij. E gjithë përpjekja për të justifikuar këtë akt është bazuar në fakte të pavërteta dhe në interpretime spekulative të tyre. Si rezultat i këtyre parashtrimeve ju ftoj që ta rrëzoni me votë dekretin e Presidentit të Republikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA