Nga sot, Bulevardi “Zogu I ”është hapur për qarkullimin e automjeteve, tërësisht i transformuar në një hapësirë të madhe publike, me sheshe të vogla dhe fasada të unifikuara.
“Ne do ta hapim trafikun, teksa vazhdojmë të kurojmë disa detaje, me disa pemë për t’u mbjellë e vijëzime që duhen bërë, do vendosim sinjalistikën, do ndriçojmë disa nga fasadat etj. Janë punë që mund t’i bëjmë pa kufizuar trafikun, për të krijuar një valvultë re shkarkimi nga sheshi “Skënderbej” dhe Unaza e Vogël, në drejtim të “Bulevardit të Ri”, për t’u lidhur me Unazën e 3-të ose për të vazhduar në zonën e Bregut të Lumit”.
Kryebashkiaku nënvizoi se pavarësisht sfidës së tërmeteve dhe pandemisë, puna për të çuar përpara projektet nuk është ndalur. Ai theksoi se pavarësisht histerive, si në çdo projekt tjetër të mëparshëm, falë punës vlera e pronës së qytetarëve dhe e bizneseve në këtë zonë është rritur.
“Si çdo projekt, fillimisht u përball me histerinë, mos ma prek atë, mos ma prek këtë, por gjërat nuk ndryshojnë po s’i preke me dorë. Nesër qytetarët do të zgjohen të mahnitur sesa hapësirë është fituar, vetëm duke pastruar ferrat, kioskat dhe gjithë çudirat shqiptare që kemi trashëguar në 30 vite tranzicion e mungesë kontrolli në këtë bulevard. Legalizime, hipoteka të dhëna lëmsh, ishte si të qëroje oriz, është pastruar çdo cm2 dhe më vjen mirë që ia dolëm dhe e mbajtëm fjalën për ta hapur në fund të nëntorit. Vlera e pronës është rritur në këtë njësi, po ashtu edhe aktiviteti ekonomik që do të rikthehet pas pandemisë, dhe pasi ta fitojmë atë betejë, siç kemi fituar çdo betejë, do të jetë prova se ishte investimi i duhur”
Top Channel