Gjykata e Apelit në Kosovë, ka njoftuar të martën se e ka miratuar pjesshëm ankesën e të akuzuarit Darko Tasiq, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit të datës 22 qershor 2020, sipas të cilit ai është dënuar me 22 vjet burgim me akuzat për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit është thënë se vendimi paraprak i gjykatës në Prizren është ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe vendimit mbi dënim.
Për pasojë, dënimi ndaj Tasiqit është ndryshuar nga 22 në 11 vjet burgim, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.
“Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë( LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3 Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj”, është thënë në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Më 22 qershor të këtij viti, Tasiq është shpallur fajtor për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Prizren Tasiq ishte shpallur fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ata dhe duke i hedhur në Lumin Drin.
Tasiq ishte shpallur fajtor edhe për akuzën që thotë se në mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Republikës Federative të Jugosllavisë, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, Tasiq ka marrë pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.
Darko Tasiq pati mohuar fajësinë dhe është mbrojtur në heshtje.Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99, në Kosovë janë vrarë më shumë se 13,500 persona.
Top Channel