Në Mitrovicën e Veriut, Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës mori sërish postin e kryetarit të komunës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Milan Radojeviç nga Lista Serbe ka fituar 89.86 për qind të votave në Mitrovicën e Veriut. Ndërsa në Podujevë, sipas rezultateve paraprake, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, fitoi 51.64 për qind të votave, duke i dhënë fund një periudhe 20 vjeçare gjatë së cilës komuna drejtohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Rreth 41 për qind e mbi 87 mijë votuesve në Podujevë morën pjesë ne votime, ndërsa rreth 39 për qind e 23 mijë votuesve morën pjesë në zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut.

Posti i kryetarit të komunës së Podujevës është bosh që nga muaji shkurt kur ish kryetari Agim Veliu u tërhoq për t’u bërë ministër i Brendshëm, ndërsa ai i kryetarit të Mitrovicës së Veriut që nga qershori kur ish kryetari Goran Rakiç, u bë zëvendëskryeministër i Kosovës.

Mbajtja e zgjedhjeve u shty për shkak të situatës me pandeminë, e cila duhet të ketë ndikuar edhe në pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet e së dielës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA