Australia: Kina të kërkojë falje për postimin e diskutueshëm në Twitter

30/11/2020 13:45

Australia tha se Kina duhet të kërkojë falje për një postim në Twitter që sulmon ushtrinë australiane pas hetimit të madh për krime lufte që zbuloi vrasjen e dhjetëra civilëve afganë.

“Australia po kërkon një falje nga qeveria kineze për këtë postim mizor”, citohet të ketë thënë kryeministri Scott Morrison për ABC News, duke shtuar: “Ne gjithashtu kërkojmë heqjen e tij menjëherë”.

Ai pranoi se tensionet ekzistonin midis Kinës dhe Australisë, por vlerësoi se “kjo nuk është mënyra për t’i zbutur tensionet”. Ministrja e Jashtme e Australisë, Marise Payne, e përshkroi postimin si rastin më “të egër” të dezinformimit të mediave sociale që kishte parë në karrierën e saj.

“Qeveria australiane ka thirrur ambasadorin kinez dhe ka kërkuar kërkim faljeje nga ambasadori në lidhje me këtë postim”, tha ajo, duke shtuar:

“Ne gjithashtu do ta përcjellim këtë mesazh direkt në Pekin përmes ambasadorit tonë”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) kineze, Zhao Lijian, sot ndau imazhin që me sa duket përshkruante një ushtar australian duke vrarë një fëmijë afgan.

“Të tronditur nga vrasja e civilëve dhe të burgosurve afganë nga ushtarët australianë. Ne i dënojmë ashpër veprimet e tilla dhe bëjmë thirrje që ata të japin llogari”, shkroi Zhao.

Zëdhënësi i MPJ-së kineze gjithashtu “dënoi fuqishëm” veprimet e ushtarëve australianë javën e kaluar, duke thënë se raporti “ekspozoi plotësisht hipokrizinë e të drejtave të njeriut dhe lirisë në të cilën thirren vendet perëndimore”. Zyrtarët afganë, si dhe vende të tjera përfshirë Turqinë, gjithashtu kanë kritikuar vrasjet e zbuluara në hetimin e fundit më 19 nëntor për të paktën 39 incidente të vrasjes së civilëve në Afganistan nga forcat speciale australiane.

Raporti i Brereton-it, i porositur nga inspektori i përgjithshëm i Forcës Australiane të Mbrojtjes, gjeti “informacion të besueshëm” se ushtarët australianë vranë civilë dhe të burgosur në Afganistan.

Marrëdhëniet midis Pekinit dhe Canberra-s u përkeqësuan pasi Australia iu bashkua aleatëve të saj perëndimorë për të kërkuar hetim për origjinën e COVID-19, i cili u shfaq për herë të parë në Wuhan të Kinës më dhjetor 2019.

Top Channel