​Kosovë/ Shumica e shkollave sot në pushim, nuk respektuan vendimin e Qeverisë

30/11/2020 17:02

Pavarësisht thirrjes së SBASHK-ut që dita e hëne të jetë ditë pushimi për shkollat në shenjë respekti për festën e 28 Nëntorit, disa shkollat kanë vendosur që ta respektojnë urdhrin e Qeverisë së Kosovës që mësimi të mbahet në mënyrë të rregullt edhe në këtë ditë.

E mbajtja e mësimit po thuhet se po bëhet edhe për t’i zëvendësuar orët e humbura të nxënësve në kohë pandemie.

Mësimdhënësi i shkollës “Naim Frashëri”, Pajtim Hodolli ka thënë për KosovaPress, se është parë e nevojshme që të hënën të mbahet mësim për shkak të nxënësve, pasi që ata kanë humbur mjaftë ditë për shkak të pandemisë.

“Ne si mësimdhënës të shkollës “Naim Frashëri”, në bashkëbisedim me kolektivin kemi vendosë që sot të mbajmë mësim, për shkak se edhe ashtu nxënësit kanë humbur mjaftë ditë të mësimit për shkak të pandemisë dhe për këtë arsye e kemi parë të nevojshme që ta vazhdojmë procesin mësimor”, ka thënë Hodolli.

Ai thotë se thirrja e Qeverisë që të mbahet mësim dhe SBASHK-ut, që të mos mbahet mësim ka krijuar paqartësira, dhe ka ndikuar që një numër i konsideruar i nxënësve të mos dalin këtë ditë në mësim.

“Sot vërehen pak mungesa, pak me të theksuara tek nxënësit, mirëpo nëse e llogarisim një përqindje, nuk e kalon as 10 për qind që mungojnë, domethënë ka kushte që të mbahet mësim”, ka thënë Hodolli.

Nxënësja e kësaj shkolle, Leona Bilalli ka thënë se pavarësisht që është ditë fesë, është më mirë që kanë dal në shkollë sepse kanë humbur mjaft orë mësimore në pandemi.

“Pavarësisht që është ditë feste, dita e flamurit 28 nëntorit, është më mirë në shkollë se mos me i humb disa mësime dhe .. për shkak të pandemisë kemi humb shumë mësime pa mësuar, kështu që më mirë është në shkollë”, ka thënë Bilalli.

Ndërsa nxënësja Darsa Mirena ka thënë se është mirë që kanë ardhur në shkollë sepse kanë humbur shumë mësim gjatë kohës së pandemisë.

“Kemi humb shumë ditë mësimi për shkak të pandemisë edhe më mirë që kemi ardh sot në shkollë”, ka thënë Mirena.

Nxënësja Florentina Llugaliu thotë se dita e sotit duhet të ishte pushim për shkak të festës së 28 Nëntorit.

“Unë mendoj që është me keq që kemi ardh sot në shkollë sepse është dita e 28 Nëntorit dhe mendoj që duhet me qenë në shtëpi, dhe me mbajte mësim online”, ka thënë Llugaliu.

Ndërsa një nxënëse tjetër ka thënë se edhe pse ishte pandemi, nxënësit kanë nevojë për pushime, por edhe dalja në mësim është mirë pasi që nuk do të humbin orë të tjera.

“Sot sipas mendimit tim kishte me qenë mirë me qenë pushim edhe pse kemi humbur në pandemi edhe ne kemi nevojë për pushim, mirëpo unë kam dal në shkollë për shkak se shkolla “Naim Frashëri” e ka marrë vendimin që sot me u mbajte mësim. Me një anë është mirë sepse duhet me kanë në shkolle, mos me humb orët dhe për këtë jemi dal sot”.

E ushtruesi i detyrës së nënkryetarit në SBASHK, Lutfi Mani ka thënë për Kosovapress, se SBASHK-u vetëm ka kërkuar që të zbatohet kalendari shkollor, dhe me atë kalendar, e hëna është ditë pushimi. Sipas tij, shumica e shkollave e kanë zbatuar këtë vendim.

Ndërsa për shkollat që kanë punuar, ai ka thënë se kjo ka ndodhë si pasojë e presionit të vazhdueshëm që kanë bërë kryetarët por edhe drejtorët e arsimit në komunat e Kosovës.

“Në ato komuna ku është mbajt mësimi sot ka pasur një presion të jashtëzakonshëm prej përgjegjësve të arsimit, drejtorëve të shkollave, gjithë ata kanë bërë thirrje që të shkohet të mbahet mësim… Të gjithë mësimdhënësit në Kosovë i kanë lajmëruar nxënësit që dita e hëne është ditë pushimi të gjitha shkollat e Kosovës është mbajte program me rastin e 28 nëntorit ditës së pavarësisë dhe ditës së flamurit dhe në fund i kanë informuar fëmijët që e hëna është ditë pushimi. Kur ka dal vendimi i kryeministrit… kur ka dal ai vendim ka qenë shumë vonë dhe SBASHK-u, kumtesën e saj e ka dhënë më herët”, ka thënë Mane.

Ai ka shtuar se 85 për qind e shkollave e kanë zbatuar thirrjen e SBASHK-ut që të hënën mos të mbahet mësim.

“Afërsisht 85 për qind sepse tash kjo është e përsëritshme për arsye se kemi edhe ndërrimin e pasdites që vazhdon mësimi, kemi 12 komuna ku qind për qind mësimi nuk është mbajte hiq, kemi një komunë ku 90 për qind ku nuk është mbajt, dikund 87… por kemi edhe komunë ndoshta veç dy- tre shkolla s’kanë punuar e tjerat kanë punuar, qysh është rasti i Prishtinës dhe Drenasit etj, prandaj është diku 85 për qind ajo që është zbatuar vendimet e MASHT-it”, ka thënë Mani.

Ndërsa, drejtori i arsimit në komunën e Drenasit, Muhamet Xhoka ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë presioni, mirëpo pas vendimit të Qeverisë edhe pse ai ishte i vonshëm dhe ka krijuar konfuzion, kjo komunë ka arritur që procesin mësimor ta zhvillojë në mënyrë të rregullt në të gjitha shkollat, përveç dy prej tyre të cilat nuk kanë mbajtur mësim në mungesë të nxënëseve.

“Qysh në mëngjes kam marrë raportet prej drejtorëve lidhur më zhvillimin e procesit mësimor nëpër shkolla, në bazë të raporteve të deri tash, vetëm në dy shkolla nuk është zhvilluar procesi mësimor. Në njërën shkollë arsyetimi ka qenë mungesa e nxënësve… ndërsa në gjitha shkollat është zhvilluar procesi mësimor normalisht me orar të ditës së hëne, pasi që pas vendimit të Qeverisë edhe ne si drejtori komunale kemi respektuar dhe kemi bërë thirrje për respektim të vendimit të Qeverisë edhe pse vendimi ishte vone dhe ka krijuar konfuzion sidomos pas thirrjes së sindikatës që e hëna të jetë ditë pushimi”, ka thënë Xhoka

Se a do të merret ndonjë masë për këto shkolla që nuk kanë respektuar thirrjen e Qeverisë dhe drejtorisë së arsimit, Xhoka ka thënë se duhet të shikohet në aspektin ligjor dhe udhëzimi se a do të merren masa apo jo për këto shkolla, për shkak se në kalendar të festave të ministrisë ka qenë ditë pushimi.

E drejtori i arsimit në komunën e Gjilanit, Nazmi Gagica ka thënë se në këtë komunë mësimi ka vazhduar pjesshëm me pjesëmarrje të vogël të nxënësve por edhe të mësimdhënësve, si pasojë e thirrjes së SBASHK-ut dhe asaj të Qeverisë.

“Realisht ka pas ndikime dy vendimet edhe të SBASHK-ut dhe Qeverisë. Natyrisht që në Gjilan mësimi është vazhduar pjesshëm me pjesëmarrje më të vogël të nxënësve dhe aty këtu të mësimdhënësve. Mësimdhënësit janë paraqitur në shkolla por që numri i nxënësve ka qenë shumë i vogël. Në ato shkolla ku pjesëmarrja e nxënësve ka qenë shumë e vogël, aty nuk ka filluar mësimi… Megjithatë pjesshëm është mbajt mësimi”, ka thënë Gagica.

Edhe Gagica ka thënë se akoma nuk janë para ndonjë vendimmarrje lidhur me shkollat që nuk kanë respektuar vendimin, por se presim nga instancat e larta që të rekomandojnë dhe sugjerojnë për hapat e mëtejmë.

Ndryshe, kujtojmë se të premten, përmes një sqarimi për media, Qeveria e Kosovës, tha se në të gjitha institucionet shtetërore, në institucionet arsimore në të gjitha nivelet, do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti-COVID, të ndërmarra nga Qeveria. /KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA