Vrasje në Shkodër, arrestohet autori/ Ngjarja pas konfliktit me djalin e viktimës, edhe dy bashkëpunëtorë në kërkim

29/11/2020 12:12

Policia ka vënë në pranga autorin e vrasjes së 46 vjeçarit Ridvan Ramazanit në fshatin Mushan në Shkodër. Milkjor Gjoka, 25 vjeç, banues në fshatin Dajç, u arrestua nga uniformat blu, për veprën penale, Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.

Ndërkaq, në kërkim, si bashkëpunëtor në vrasje, u shpallën edhe dy vëllezër; Hydajet Mehmedaj 33, vjeç dhe Duel Mehmedaj, 31 vjeç, të dy banorë në fshatin ku ndodhi vrasja, mëngjesin e së shtunës.

Nga hetimet, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në afërsi të një pike karburanti, kanë vrarë me kallashnikov, Ridvan Ramazanin.

Dyshimet janë, se autorët janë konfliktuar me djalin e viktimës, ndërsa ky i fundit ka ndërhyrë për të sqaruar situatën.

Por disa orë më pas, autorët e ekzekutuan Rivan Ramazanin, me breshëri plumbash në automjetin e tij.

Nga hetimet e kryera, u vunë në pranga edhe dy persona të tjerë për moskallëzim të krimit. Sipas policisë, shtetasi B. M. 49 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër dhe M. G., 49 vjeçe, banuese në fshatin Suka-Dajç, kanë qenë prezent kur ka ndodhur ngjarja por nuk kanë kallëzuar në polici për krimin e ndodhur.

Grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, dy krëhëra me fishekë pistolete, gëzhoja të armës automatike, automjetin e viktimës dhe prova të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes.

Ndërkaq, policia njofton se blutë e shkodrës, po mbështeten nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe Renea, për të vënë në pranga edhe dy autorët e shpallur në kërkim, si bashkëpunëtorë të kësaj vrasjeje.

Andi Bora

Top Channel