Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka dhënë detaje për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në veri të Mitrovicës dhe në Podujevë. Në këtë të fundit, deri në orën 11:00, kanë votuar 7 mijë e 223 votues. Kurse, në veri deri në orën 11:00, kanë votuar 2 mijë e 942 votues.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se procesi zgjedhor në këto dy komuna është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur deri më tani ndonjë̈ lajmërim për parregullësi gjatë votimit.

Sipas saj, në komunën e Podujevës deri në orën 11:00 ka qenë rreth 8.27 për qind, ndërsa në komunën e Mitrovicës deri në ora 11:00, kanë votuar afër 13 për qind.

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.27% e votuesve apo 7 mijë e 223 votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 7 mijë e 658 votues apo 9.1%. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2 mijë e 942 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 324 votues apo 15.2%.”, ka thënë Daka.

E pyetur nga gazetarët për deklarimet se në Podujevë ka më shumë vëzhgues se sa është e paraparë, Daka ka thënë se kanë qenë disa mosmarrëveshjet në fillim, por të cilat janë rregulluar përmes KQZ-së.

“Ne kemi marrë vendim që çdo vend-votim të ketë nga një vëzhgues nga të gjitha subjektet politike të cilat janë në garë dhe nga OJQ-të, të cilat janë të akredituara. Ka pasur mosmarrëveshje në fillim, mirëpo këto janë rregulluar përmes KQZ-së, pra nuk kemi informata se është duke ndodhur diçka që kishte me e pengu procesin zgjedhor.”, ka thënë Daka.

Konferenca e radhës do të mbahet në ora 15:30 dhe ka të bëjë lidhur me ecurinë̈ e procesit zgjedhor deri në atë kohë, si dhe pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00. /Kosova Press/

Top Channel