Të gjitha qendrat e votimit në Komunën e Podujevës janë hapur në orën 7:00 dhe deri më tani gjithçka është duke shkuar në rregull.
Në këtë komunë janë 45 qendra të votimit me gjithsej 115 vendvotime. Të drejtë vote në këtë komunë kanë 87 mijë e 381 persona.
Kryetari i komisionit komunal zgjedhor, Islam Demolli, për KosovaPress, ka konfirmuar se të gjitha qendrat janë hapur në orën 7.
“Të gjitha qendrat e votimit që janë gjithsej 45 qendra të votimit dhe në 115 vendvotime sot në ora 7 kanë qenë të gjitha të hapura. Deri më tash nuk është asnjë problem, procesi është duke shkuar normal”, tha ai përmes telefonit.
Në orën 7:00 është hapur edhe qendra e votimit në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini”, në komunën e Podujevës, në të cilën të drejtë vote kanë 14 mijë persona.
Drejtori i kësaj shkolle, Fehmi Zeqiri ka bërë të ditur se të gjitha materialet kanë arritur në kohë dhe qendra e votimit është hapur në orën 7:00.
“Numri i votuesve në këtë qendër është afër 14 mijë, kjo konsiderohet qendra më e madhe ose vendvototimi më i madh në komunën e Podujevës me të drejtë vote afër 14 mijë votues. Gjithsej kemi 15 vendvotime, qytetarët e kanë mundësinë dhe të drejtën e tyre të votojnë”, tha ai.
Ai tha se i kanë marrë të gjitha masat anti-Covid.
“Ne në bashkëpunim me Komisionin Komunal Zgjedhor vazhdimisht gjatë tërë javës jemi marrë më aktivitete, i kemi kryer të gjitha punët përgatitore dhe gjithçka është e gatshme që procesi i votimit të shkojë mbarë dhe mirë. Shpresoj që gjithçka do të shkojë në rregull sipas planit dinamik të paraparë”, tha ai.
Ndër votuesit e parë ishte Muhamet Hajdini, i cili tha se nga kryetari i ri i komunës pret të punojë më shumë në krijimin e vendeve të reja të punës.
“Kërkojmë gjithçka, punësim, mirëqenie sociale. Deri tash jemi të zhgënjyer total”, tha ai.
Ndërsa, votuesi tjetër kërkoi të respekton kërkesat e qytetarëve.
“Ngjashëm, kurrgjë diçka ndonjë risi të madhe nuk pres… Veç le t’i respektojnë kërkesat e qytetarëve, kurrgjë më shumë”, tha ai.
Në Komunën e Podujevës janë 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 Vendvotime, ndërsa në Komunën e Mitrovicës së Veriut janë 7 Qendra të Votimit me gjithsej 27 Vendvotime.
Për të parin e Podujevës në garë janë tre kandidat, ku LDK garon me kandidatin Nexhmi Rudari, LVV me Shpejtim Bulliqin dhe PDK me Naim Fetahun. /KosovaPress/
Top Channel