Pavarësia, festë në Kosovë/ Homazhe edhe në kompleksin memorial Adem Jashari

28/11/2020 15:14

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për nder të festës së 28 nëntorit, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë bëri homazhe në Prishtinë para shtatores së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova si dhe në Prekaz, te Kompleksi Memorial i familjes Jashari.

Kryeministri Hoti tha se 28 nëntori është ditë feste për çdo shqiptar. Duke folur para mediave, Hoti tha se tragjedia e familjes Jashari është ndër ngjarjet me të rëndësishme në historinë e shqiptarëve.

“Sot është ditë feste për çdo shqiptar, është festë kombëtare. Ne i filluam nderimet tona nga shtatorja e Skënderbeut, me të cilin identifikohet nëntori i parë, festa më e madhe e gjithë shqiptarëve, dhe tek shtatorja e presidentit Rugova, dhe tash do të vazhdojmë në Prekaz, në vendin e shenjët, për të treguar nderime ndaj tyre dhe gjithë atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë ne sot”, tha Hoti.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për forcim të lidhjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përmes një telegrami dërguar presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, Osmani tha se flamuri kombëtar simbolizon ndjenjën e ekzistimit të kombit shqiptar.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen”, thuhet në telegramin e Osmanit. Osmani me tej thotë se si Kosova ashtu edhe Shqipëria janë shndërruar në faktorë paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Këtë vit, institucionet e Kosovës kanë marrë vendim që e hëna të jetë ditë pune në solidarizim me stafin mjekësor që është duke u përballur me luftën ndaj pandemisë së koronavirusit të ri. Zakonisht, kur një ditë feste ka qëlluar në ditë fundjave, institucionet kanë marrë vendim që dita e parë e punës, pas festës, të jetë ditë pushimi.

 

Top Channel