Turqia nuk pret sanksione nga Bideni për sistemin rus S-400

27/11/2020 05:42

Turqia nuk pret që të përkeqësohen marrëdhëniet e saja me Shtetet e Bashkuara nën administratën e ardhshme, që pritet të drejtohet nga Joe Biden dhe nuk pret sanksione për blerjen nga Rusia të sistemit mbrojtës, S-400. Kështu tha Numan Kurtulmus, nënkryetari i partisë AK të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Uashingtonit kanë qenë të tensionuara për një varg çështjesh, përfshirë polikën ndaj Sirisë si dhe refuzimit të SHBA-së, që ta ekstradojë në Turqi klerikun fetar, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon se qëndron prapa puçit të dështuar ushtarak të vitit 2016. Turqia ka pasur raporte më të mira me SHBA-në, falë marrëdhënieve të mira ndërmjet presidentit Erdogan dhe presidentit amerikan Donald Trump, por Biden pritet që të jetë më i ashpër ndaj Turqisë sa i përket politikave të jashtme dhe atyre të mbrojtjes si dhe për të drejtat e njeriut.

Ankaraja vitin e kaluar bleu sistemin e mbrojtjes raketore ruse S-400, që nuk është në përputhje me aftësitë mbrojtëse të NATO-s. Ky fakt mund të çojë në vendosjen e sanksioneve nga SHBA-ja vitin e ardhshëm, nëse Kongresi amerikan miraton një ligj për shpenzimet e mbrojtjes, të cilin Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka votuar. Në këtë ligj përfshihet edhe kërkesa ndaj presidentit amerikan që ta sanksionojë Turqinë.

Por, në një intervistë për Reuters, Numan Kurtulmus tha se kjo ka pak të ngjarë. “Presidenti amerikan me shumë gjasa do të shikojë me kujdes balancën në Lindjen e Mesme në të mirë të interesave amerikane dhe nuk do të dëshirojë që të vazhdojë marrëdhëniet e tensionuara me Turqinë”, tha Kurtulmus. “Besoj që ata do të ndërmarrin hapa pozitiv në të ardhmen”, shtoi ai. Uashingtoni thotë se sistemi mbrojtës rus S-400 paraqet rrezik për aftësitë e avionëve të tij luftarak të tipit F-35 dhe ka larguar Turqinë nga programi për blerjen e këtyre avionëve./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA