Numri i të infektuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) në kontinentin e Afrikës ka shkuar në mbi 2 milionë e 134 mijë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjithsej 2.134.283 persona deri më tani kanë rezultuar pozitiv me virusin në mbarë kontinentin, pasi në 24 orët e fundit janë infektuar edhe 13.927 persona, sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat mbi pandeminë.
Ndërkaq, numri i të vdekurve si pasojë e pandemisë ka arritur në 51.033, me një rritje prej 297 viktimash në 24 orët e fundit.
Shifra më e lartë e viktimave është regjistruar në Afrikën e Jugut me 21.289 të vdekur, pasuar nga Egjipti me 6.596 dhe Maroku me 5.619.
Në Sejshelle dhe Eritre nuk është raportuar asnjë vdekje.
Për sa i përket numrit të të infektuarve, ai ka arritur në 778.571 në Afrikën e Jugut, ndërsa pas saj radhiten Maroku me 340.114 raste dhe Egjipti me 114.475.
Deri më tani, 1.800.753 persona të infektuar janë shëruar.
Top Channel