Agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut ka “prishur” përpjekjet e Koresë së Veriut për të hakuar kompanitë e Koresë së Jugut që zhvillojnë vaksinat e coronavirusit, njoftoi të premten agjencia News1, duke cituar një anëtar të komitetit parlamentar të inteligjencës.
Siç shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi, ligjvënësi Ha Tae-keung tha se pasi u informua nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës, agjencia nuk specifikoi sa dhe cilët prodhues të ilaçit u vunë në shënjestër, por tha se nuk kishte dëm nga përpjekjet e “piraterisë”.
Gjithsesi, deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje nga Koreja e Veriut rreth këtyre pretendimeve.
Ndryshe, javën e kaluar, Microsoft tha se hakerat që punonin për qeveritë ruse dhe koreano-veriore ishin përpjekur të hynin në rrjetet e shtatë kompanive farmaceutike dhe studiuesve të vaksinave në Korenë e Jugut, Kanadasë, Francës, Indisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në korrik, hakerat e mbështetur nga kinezët u akuzuan gjithashtu se kishin në shënjestër kompaninë bioteknologjike Moderna – një zhvillues kryesor i kërkimit të vaksinës për coronavirus me bazë në Shtetet e Bashkuara – në një përpjekje për të vjedhur të dhëna të vlefshme.
Përpjekja e hakimit në Korenë e Jugut u zbulua ndërsa vendi u përballë me një valë të tretë të pandemisë.
Të premten, ajo raportoi 569 raste të reja, ditën e dytë me radhë që infeksionet janë rritur me më shumë se 500.
Shkalla e vdekjes, megjithatë, mbetet e ulët me një vdekje më shumë të raportuar të premten, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 516 – ndër më të ulëtit në vendet e zhvilluara.
Top Channel