Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e akuzoi Perëndimin se ka ndërhyrë në Bjellorusi, teksa u takua me Alyaksandr Lukashenkën, i cili po përballet me protesta të pandërprera tash e disa muaj, në të cilat po kërkohet dorëheqja e tij dhe po kontestohen rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Lavrov zhvilloi takime me Lukashenkën dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Minsk. Vizita e tij në kryeqytetin bjellorus është shfaqja e fundit e mbështetjes së Moskës ndaj regjimit të Lukashenkës.
Mijëra protestues po kërkojnë dorëheqjen e Lukashenkës dhe që prej zgjedhjeve të 9 gushtit kanë organizuar protesta, që prej se lideri 66-vjeçar – që është në pushtet në Bjellorusi që prej vitit 1994 – pretendoi se ka fituar mandatin e gjashtë presidencial.
Protestuesit thonë se kandidatja opozitare, 38-vjeçarja Svyatlana Tsikhanouskaya është fituesja e vërtetë e zgjedhjeve.
Moska ka vazhduar mbështetjen për Lukashenkën që prej se nisën protestat, ku që atëherë janë mbajtur disa takime ndërmjet zyrtarëve të lartë të të dyja shteteve.
Duke folur në një konferencë të përbashkët me homologun e tij bjellorus, Uladzimer Makey, Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete evropiane kanë “ndërhyrë” në çështjet e brendshme të Bjellorusisë.
“Populli i mençur bjellorus është në gjendje që ta kuptojë vetë situatën pa ndërmjetësimin e pakërkuar nga jashtë”, tha kryediplomati rus.
Lukashenka ka pretenduar se vendet Perëndimore kanë orkestruar protestat përmes së cilave po bëhet thirrje për largimin e tij nga pushteti.
Lavrov tha se Perëndimi po “përdor metodat e tij të pista, të ashtuquajtura revolucione shumëngjyrëshe, përfshirë manipulimin e opinionit, mbështetjen e forcave që qartësisht janë anti-qeveritare dhe duke nxitur radikalizmin e tyre”.
Liderët perëndimorë kanë refuzuar që të njohin rezultatet zgjedhore në Bjellorusi dhe po mbështesin Tsikhanouskayan, e cila u largua nga Bjellorusia për në Lituani, pas zgjedhjeve.
Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Lukashenkës dhe një numri të aletëve të tij, duke u thirrur në mashtrime zgjedhore dhe dhunë të tepruar ndaj policore ndaj protestuesve.
Forcat e sigurisë kanë arrestuar mijëra protestues dhe anëtarë të opozitës bjelloruse. Ka raportime kredibile se autoritetet e sigurisë kanë përdorur edhe torturë gjatë shtypjes së protestave.
Shumica e liderëve opozitarë bjellorusë janë arrestuar ose janë detyruar që të largohen nga shteti.
Top Channel