Gratë në të gjithë botën shënuan të mërkurën Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, duke theksuar se bllokimet për shkak të pandemisë i kanë ekspozuar ato ndaj një rreziku më të madh.

Kombet e Bashkuara thanë se që nga shpërthimi i COVID-19s, të gjitha llojet e dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht dhuna në familje, janë intensifikuar. Strehimoret për gratë e dhunuara e kanë kaluar kapacitetin, ndërkohë që thirrjet në linjat e posaçme telefonike të ndihmës janë pesëfishuar, tha OKB-ja.

“Dhuna e burrave ndaj grave është gjithashtu një pandemi, më e hershme se koronavirusi dhe që do të mbetet edhe pas kapërcimit të tij. Ajo ka nevojë për reagimin tonë global, të koordinuar dhe për protokolle të zbatueshme. Ajo prek popullata të mëdha të të gjitha moshave,” tha Drejtorja Ekzekutive e OKB-së për Gratë, Phumzile Mlambo-Ngcuka në një deklaratë.

Vitin e kaluar, 243 milionë gra dhe vajza kanë përjetuar dhunë seksuale ose fizike nga partneri i tyre. Këtë vit, raportet e rritjes së dhunës në familje, ngacmimit në internet, martesave në moshë të mitur, ngacmimeve seksuale dhe dhunës seksuale janë shtuar së tepërmi, tha ajo.

Në Stamboll, disa qindra njerëz u mblodhën për të protestuar kundër dhunës në familje ndaj grave. Një grua që mori pjesë, e cila nuk pranoi të jepte emrin, tha: “Ligji nuk i mbron gratë ashtu siç duhet. Ne jemi këtu për të dëgjuar zërin tonë. Ka vrasje të grave që ndodhin pothuajse çdo ditë në këtë vend, por njerëzit që e kryejnë krimin bredhin të lirë”.

Në Itali, protestuesit u mblodhën jashtë parlamentit duke mbajtur parulla me fjalët “Nëse ata prekin dikë (prej nesh), na prekin të gjithë” dhe “Gratë nuk janë lodra”. Italia përjetoi disa nga masat më të rrepta të izolimit në botë midis marsit dhe majit, ndërsa muajin e kaluar vendosi kufizime të reja.

Karantina e saj po krijon kushte për rritje të vrasjeve të grave nga anëtarët e familjes në të njëjtën shtëpi, sipas një studimi nga Instituti Italian i Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale. “Kemi qenë dëshmitarë të një rritje të dhunës në familje gjatë masave të izolimit”, tha protestuesja Serena Freddi. “Kjo tregon se shtëpia është ende një vend konflikti dhe dhune për gratë.”

Spanja mbajti të mërkurën një minutë heshtje për gratë e vrara ndërsa në Portugali, observatori OMA, i cili monitoron vrasjen e grave, tha se deri tani në vitin 2020, janë vrarë 30 gra, gjysma e tyre viktima të dhunës në familje. Ministri i Brendshëm i vendit Eduardo Cabrita tha se në 10 muajt e parë të vitit 2020 kishte patur një rënie prej 6% të numrit të ankesave në lidhje me dhunën krahasuar një vit më parë. Kjo, tha ai, është një shenjë shqetësuese që tregon se gratë e kanë patur të vështirë të kërkojnë ndihmë gjatë izolimit. Qeveria nisi një fushatë video të quajtur #Survived, e cila paralajmëron për sfidat që paraqet pandemia COVID-19.

Në Gjermani, Kancelarja Angela Merkel tha në podcastin e saj javor, se “statistikisht, çdo 45 minuta një grua në vendin tonë sulmohet nga partneri i saj aktual ose ish-partneri. Këto janë faktet mizore. Çdo rast i vetëm tregon një histori të tmerrshme … kurrë mos e ktheni kokën mënjanë kur vajzat ose gratë kërcënohen me dhunë ose sulmohen”, tha ajo./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA