“Nuk më pyeti njeri!”/ Hoti flet për konsullin në Pragë

26/11/2020 11:48

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh se askush nuk është koordinuar me të për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë.

Hoti tha se këtë gjë e kishte marrë vesh nga mediat.

“Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike. Pas kësaj analize do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike dhe do të sigurohemi që përbërja e këtyre misioneve të jetë në përputhje me ligjin”, shkroi ai në Facebook.

Në Kosovë ka ngjallur reagime të shumta emërimi i Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, si Konsull i Përgjithshëm në Pragë. Vota e Haxhi Shalës ishte ajo që vulosi fatin e qeverisë Hoti. Ligjvënësi befasoi asokohe me ndryshimin e mendjes, pasi ishte shprehur se nuk do ta votonte ekzekutivin që zëvendësoi qeverinë Kurti. Më herët, Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani njoftoi se do të shfuqizojë dekretet e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që janë në kundërshtim me praktikat diplomatike.

Ndërsa vetë Flakron Shala përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se në pozitën Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës është “emëruar sipas ligjit në fuqi”.

Top Channel