Donald Trump shpalli falje të plotë për këshilltarin e tij të parë të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, të cilit iu desh të përballej me një betejë të gjatë ligjore me prokurorët federalë, si rrjedhojë e hetimit për çështjen e Rusisë.
Lajmin, presidenti republikan e njoftoi në Twitter në prag të festës së Falënderimeve.
“Është nderi im i madh të njoftoj se Gjeneralit Michael T. Flynn i është dhënë Falje e Plotë. Urime Gen Flynn dhe familjes së tij të mrekullueshme; e di që tani ju do të kaloni një festë Falënderimesh vërtet fantastike!” shkruante ai.
Falja i jep fund një odiseje të gjatë ligjore për Flynn, i vetmi anëtar i administratës Trump ndaj të cilit u ngritën akuza si pjesë e hetimit për Rusinë, të kryer nga prokurori i posaçëm Robert Mueller. Ish-këshilltari e pranoi fajësinë në vitin 2017, për akuzat se kishte gënjyer FBI-në rreth kontakteve të tij me ambasadorin rus në Uashington. Bashkëpunimi I tij me prokurorët ishte aq i gjerë saqë nuk u rekomandua burgimi, por pala e akuzës u kënaq me një lirim me kusht.
Më vonë, Flynn ndërroi avokatë dhe taktikë, duke argumentuar se prokurorët e çështjes e kishin futur në kurth dhe e kishin bërë të gënjente në lidhje me bisedat që kishte patur në dhjetor 2016 me ambasadorin rus Sergei Kislyak. Departamenti i Drejtësisë e ka mohuar në mënyrë të përsëritur pretendimet për gabime të prokurorisë.
Top Channel