Futboll dhe modë/ Koleksione peliçesh dhe bizhuteritë të kushtueshme! Maradona, ikona ekstravagante

26/11/2020 14:08

Teksa e gjithë bota e sportit dhe jo vetëm vajton largimin nga jeta të ikonës së futbollit, Diego Armando Maradonës, edhe bota e modës ka dashur t’i bëjë homazhin e saj këtij sportisti të kalibrit botëror duke e kujtuar atë veç të tjerash edhe si një ikonë stili dhe trendesh.

Maradona ka qenë në vitet ‘80 ambasador për shumë brand-e dhe marka luksoze. Nga veshjet sportive, te kostumet që ka përdorur në daljet publike dhe takimet zyrtare, pasioni për orët e firmave më të njohura, të cilat shpesh i mbante në të dyja duart, te bizhuteritë e kushtueshme, duke kaluar te syzet e diellit me lente me ngjyra dhe me kapak, të gjitha këto u bënë pjesë e identitetit të tij.

Nuk mund të mos përmendim këtu as koleksionet e peliçeve, apo makinat e luksit. Për Diegon Armando Maradonën mund të thuhet se gjithmonë ka ditur të interpretojë si në pamje ashtu dhe në stil, me veshjet ekstravagante dhe me fantazi, duke u kthyer në ikonë stili të atyre viteve të paharruara.

Top Channel