Kukësi gjen fitoren/ Verilindorët mundin Laçin. Teuta dhe Vllaznia ndahen në paqe

25/11/2020 19:58

Nuk ka fitues në përballjen mes Teutës dhe Vllaznisë e zhvilluar në “Niko Dovana” dhe që përfundoi me shifrat 0-0 edhe ps enë pjesën e dytë ekipi i Bërdaric luajti me 10 lojtarë.

Shkodranët mbeten skuadra pa humbje në këtë fillim kampionati dhe pas 4 javësh, pavarësisht se nuk arriti të fitojë në Durrës, mbajnë kreun e renditjes, ndërkohë Teuta ngjitet në kuotën e 6 pikëve po në vendin e katërt.

Ndërkohë Kukësi ka arritur të marrë fitoren e parë në këtë sezon dhe e bën këtë përball një skuadra të vështirë për t’u mundur si Laci. Verilindorët i falen golit të Ibrahimit në fundin e pjesës së parë për të marrë këtë fitore që vjen në një moment delikat për ta. Me këtë fitore për momentin Kukësi i shkëputet fundit të tabelës me 4 pikë pas katër javëve të para të sezonit, ndërkohë që Laci pas 3 barazimeve pëson humbjen e parë sezonale.

Nevil Dede duhet të presë ende për të regjistruar fitoren e parë si trajner i Tiranës. Skuadra kampione e vendit nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në sfidën me Bylisin e zhvilluar në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ duke dalë nga fusha e lojës me vetëm 1 pikë që nuk i shërben aspak.

Krejt ndryshe ndodhi me Partizanin që mori një fitore bindëse në Fier ndaj Apolonisë me rezultatin 3-0. Bitri në fundin e pjesës së parë i dha avantazhin skuadrës së Ilir Dajës në këtë ndeshje, ndërsa në 45 minutat e dyta gjetën rrugën e rrjetës edhe Jurgen Bardhi dhe Hektor Idrizaj për të fiksuar rezultatin 3-0 dhe tani e sheh veten me 7 pikë, 1 më pak se Kastrioti që vazhdon të befasojë në këtë fillim sezoni.

Skuadra krutane, e sapongjitur në Superiore mori një fitore surprizë në Korçë teksa mundi Skënderbeun me rezultatin 2-1. Da Silva dhe Okebukëu ishin ata që ndëshkuan skuadrën e drejtuar nga Julian Ahmataj për të cilën në minutat e fundit shënoi Armah, një gol ky që shërbeu vetëm për të shkurtuar diferencën e golave

Top Channel