Irani këmben akademiken e arrestuar australiane me tre të burgosur nga jashtë vendit

25/11/2020 21:30

Irani ka këmbyer sot akademiken e arrestuar iraniano-australiane Kylie-Moore Gilbert me tre iranianë të paemëruar që mbaheshin të ndaluar në vende të tjera, raportonin mediat shtetërore.

Pamjet e transmetuara nga rrjeti shtetëror IRIB tregonin Moore-Gilbert, e cila është e burgosur prej dy vitesh, duke hyrë në një makinë, e supozuar për këmbimin e saj.

Ndërsa në të tjera imazhe shiheshin celebrimet për iranianët e liruar, të cilët ishin arrestuar “jashtë vendit me akuza të rreme”, sipas agjencise. Zv. ministri i jashtëm Abbas Araghchi ishte mes pritësve të të liruarve.

Moore-Gilbert, e arsimuar në universitetin Cambridge dhe studiuese e Lindjes së Mesme, ishte arrestuar në shtator 2018 me akuza spiunazhi në kryeqytetin Teheran. Ajo ishte dënuar me 10 vjet burg.

Irani thotë se 33-vjeçarja Moore-Gilbert ishte rekrutuar nga inteligjenca izraelite Mossad dhe ishte trajnuar për një mision në Iran, teksa u ndalua në vizitën e saj të dytë.

Lirimi i saj vjen dy muaj pasi akademikja francezo-iraniane Fariba Adelkhah, e burgosur prej qershorit 2019 me akuza spiunazhi, u lirua përkohësisht nga burgu në Iran.

Ndërsa akademiku i arrestuar suedezo-iranian Ahmadreza Djalali, i dënuar tre vjet më parë me vdekje për spiunazh, ka telefonuar gruan e tij nga burgu për t’i thënë se së shpejti do të ekzekutohet.

FOTO GALERI
1/3
Moore-Gilbert, e cila është e burgosur prej dy vitesh, shihej duke hyrë në një makinë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA