Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se presin që Bashkimi Evropian (BE) t’i kuptojë gabimet e veta dhe ta shohë vlerën që anëtarësimi i Turqisë do t’ia shtojë bllokut.
Duke bërë një paraqitje mbi buxhetin e vitit 2021 në Komisionin parlamentar të Planifikimit dhe Buxhetit, Çavuşoğlu tha se zhvillimet e fundit në Detin Mesdhe dhe Egje po ashtu kanë ndikuar në raportet midis Turqisë dhe BE-së.
Ai tha se Greqia, Qiproja Greke dhe disa vende anëtare po i zhvendosin problemet dypalëshe me Turqinë në kuadër të BE-së.
“Gjoja kanë vendosur një maskë solidarizimi midis anëtarëve, që vazhdimisht po e përdorin kundër nesh. BE-ja duhet të tërhiqet nga ky gabim. Nëse ia dalin në këtë çështje, atëherë e gjithë Evropa do të fitojë. Nëse jo, atëherë e gjithë Evropa dëmtohet”, tha kryediplomati turk.
“Ne presim që BE-ja t’i kuptojë gabimet e bëra dhe të shohë vlerën që Turqia do t’ia shtonte bllokut. Në atë mënyrë, ne besojmë se mund të krijojmë një raport më produktiv për të dyja palët. Në kontaktet me BE-në, ne theksojmë vullnetin tonë për një dialog konstruktiv në këtë drejtim”, deklaroi Çavuşoğlu.
Turqia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987 dhe bisedimet e saj të pranimit filluan në vitin 2005. Megjithatë, negociatat u bllokuan më 2007 për shkak të kundërshtimeve të Administratës Greke Qipriote, si dhe kundërshtimit nga Gjermania dhe Franca. Ankaraja gjithashtu është ankuar në mënyrë të përsëritur se Brukseli nuk i ka mbajtur premtimet e tij të marrëveshjes së migracionit BE-Turqi të vitit 2016 për të ndihmuar migrantët dhe për të ndalur valët e mëtejshme të migrantëve.
Marrëdhëniet me SHBA-në
Çavuşoğlu tha se sfidat dhe mundësitë potenciale në marrëdhëniet me SHBA-në janë duke vazhduar, por shtoi se Turqia vepron në konsultim dhe koordinim me aleatin e NATO-s, SHBA-në, në çështje që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë rajonale, siç janë çështja e Sirisë dhe Libisë, pavarësisht disa dallimeve.
Ai tha se ende vazhdojnë të jenë në rend dite disa “elemente negative” që hedhin hije mbi marrëdhëniet midis dy vendeve.
“SHBA nuk mundi të bëjë hap kundër FETO-s, nuk mundi ta përfundojë partneritetin me PKK/PYD/YPG-në, nuk mundi t’i lë mënjanë sanksionet dhe gjuhën e kërcënimeve, dëmtoi marrëdhëniet tona të mbrojtjes duke vazhduar ta asociojë blerjen tonë të sistemeve S-400 me pjesëmarrjen në programin F-35 dhe sanksionet CAATSA”, deklaroi shefi i diplomacisë turke.
Çavuşoğlu tha se periudha e zgjedhjeve dhe polarizimi politik në SHBA e ka bërë të vështirë realizimin efektiv të dialogut të kërkuar për të kapërcyer problemet.
“Ne do të bëjmë përpjekjet e nevojshme për t’i vendosur marrëdhëniet tona përsëri në një mjedis pozitiv në interesin strategjik të të dy vendeve”, shtoi ai.
Siç tha ai, do të jetë e rëndësishme të hapen faqe të reja në bashkëpunimin ekonomik, politik dhe të sigurisë në periudhën e re.
“Në periudhën e re, marrëdhëniet e kuvendit tonë me Kongresin dhe diplomacia parlamentare do të kenë gjithashtu një rëndësi të veçantë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Turqisë.
Top Channel