A e keni menduar ndonjëherë se cilat janë saktësisht përfitimet që merrni nga pauza, përveç të ushqyerit? Studimet kanë treguar që shumica e punonjësve që punojnë me kohë të plotë, shpenzojnë më shumë se 40 orë në javë në punë dhe shumica prej tyre as që bëjnë më pauzë të drekës.
Pushimet gjatë orarit të punës janë esenciale për moralin e punonjësve. Studimet po ashtu kanë treguar se pushimet jo vetëm që e nxisin produktivitetin, por gjithashtu krijojnë kënaqësi, baraspeshë të shëndetit emocional si dhe një prirje të fortë për të vazhduar tutje.
Akademi Pune ua tregon se cilat janë disa përfitime nga shfrytëzimi i pushimeve përpara se të jeni plotësisht të rraskapitur.
Koha për të rivlerësuar qëllimet e ditës
Përveç pauzës së drekës është mirë që të merrni pesë minuta në dy orë, për kaq kohë do ta vëreni dallimin në mënyrën sesi pjesa tjetër e punës do të shkojë. Gjithmonë janë qindra punë, të cilat na presin që ta kthemë fokusin tek ato dhe t’u kushtojmë kohë.
Në këtë mënyrë duke e vlerësuar se çfarë kemi përfunduar dhe çfarë mendojmë që të bëni përpara se të përfundojë orari i punës, ju ndihmon që të jeni më të suksesshëm.
Mundësi për t’u rifokusuar në punën tënde
Shumë shpesh koha gjatë orarit të punës është i ngarkuar me email-e, takime dhe disa detyra të tjera që duket sikur nuk na çojnë askund. Një pushim në një ditë pune është një shanse për të rifilluar “nga fillimi”. Nga kjo kohë mund të përfitoni të zotoheni që do të përqendroheni në një çështje të rëndësishme dhe nuk do të lejoni që asgjë të ju shpërqendrojë.
Reduktimi i lëndimeve në punët fizike
Për punonjësit të cilët merren me punë fizike gjasat për tu lënduar janë shumë të mëdha. Prandaj, për këto lloj punësh pushimi është dyfish i rëndësishëm, sepse kjo mundëson për të zvogëluar dëmtimet e mundshme, që vinë nga aktiviteti fizik i vazhdueshëm.
Ndihmon kreativitetin
Sa herë ju ka ndodhur që ta sforconi veten për të gjetur zgjidhje për një problem në punë, apo të jepni ide kreative domosdo? Madje kjo ka zgjatur edhe në kohën jashtë punës, kur keni qenë me shoqëri apo familje. Kjo këmbëngulje që të gjendet patjetër diçka kreative, jo vetëm që nuk e ndihmon për e vret atë. Prandaj, shfrytëzimi i pushimeve ndihmon shumë në kreativitetin e punonjësve.
Parandalimi i lodhjes së syve dhe dhimbjeve të trupit
Lëndimet nuk ndodhin gjithmonë vetëm tek punonjës që kryejnë punë fizike, por edhe në vendet e punës ku punohet vetëm në zyrë. Qëndrimi për një kohë të gjatë në një pozitë krijon tension të muskujve dhe dhimbje të nyjave.
Përveç kësaj qëndrimi për një kohë të gjatë përpara ekranit të kompjuterit, ndikon në pamje të syve dhe nxit dhembje të kokës. Pushimet periodike i lejojnë punonjësit të shtrihen dhe të relaksohen, gjë që mund të ndihmojë në shmangien e dhembjeve.
Zvogëlon stresin
Kur punonjësit kanë shumë stres gjatë orarit të punës, ata nuk mund të jenë produktivë dhe të kenë punë cilësore. Pushimet e herëpashershme e ulin stresin dhe ndihmojnë që të liroheni nga presionet e punës.
Ushtrimet e frymëmarrjes, leximi i ndonjë libri, apo ndonjë masazh i lehtë do të përmirësojë punën që ka ngecur për shkak të stresit të madh.
Çfarë mund të bëni që të përfitoni nga pauza e drekës?
Punoni në ndonjë projekt që ju sjell kënaqësi (p.sh. në blogun tuaj)
Kaloni këtë kohë me dikë që e doni shumë
Hani drekë me personin më interesant apo më inspiruesin në kompani
Dilni jashtë kompanisë
Mësoni diçka të re
Meditoni
Sfidoni kolegët e zyrës tjetër në ndonjë lojë /Akademi Pune
Top Channel