Talenti i ri i Dortmundit – Youssoufa Moukoko bën historinë e Bundesligës

23/11/2020 09:21

Adoleshenti i Borussia Dortmund, Youssoufa Moukoko, është një rekordmen i Bundesligës. Një ditë pas ditëlindjes së tij të 16-të, ai doli nga pankina për pesë minutat e fundit duke e shkatërruar Hertën e Berlinit me 5-2.

Nuk kishte pasur kurrë një debutim më ambicioz në historinë e Bundesligës. Për tifozët e Borussia Dortmund, ndihet sikur Youssoufa Moukoko tashmë ka qenë përreth për një kohë të gjatë, por sapo mbushi 16 vjeç ai më në fund u lejua për të bërë debutimin e tij në Bundesligë të shtunën (21.11) kundër Hertës.

Momenti historik erdhi në minutën e 85-të në Stadiumin Olimpik të Berlinit, kur ai zëvendësoi Erling Haaland, heroin e Dortmundit me katër gola. Moukoko, i cili me 16 vjeç e një ditë bëhet lojtari i pestë më i ri që ka luajtur ndonjëherë në Evropë, pati disa prekje të bukura topi, por natyrisht, nuk pati shumë kohë për të impresionuar. Por ai do të ketë shumë kohë për këtë, ndonëse tani për tani Moukoko mund të gëzojë lavdinë e thyerjes së rekordit të Nuri Sahin, vendosur në 2005, që pati debutuar me 16 vjeç e 11 muaj.

Historia e Sahin është një paralajmërues që jo të gjithë talentet e rinj arrijnë kulmin, por pas katër sezonesh mahnitëse në ligat rinore të Gjermanisë, është e kuptueshme pse Moukoko gjeneron interes të tillë. Sulmuesi i lindur në Kamerun i ka krijuar vetes me Dortmundin një reputacion si një makineri golash. Sezoni i tij më i mirë deri më tani ishte 2018/19 kur ai shënoi 46 gola dhe 8 asist në 25 ndeshje. Sezonin e kaluar, ishte vetëm 34 gola dhe 9 asist në 20 ndeshje, dhe këtë sezon ai ka shënuar 10 gola në tri ndeshje. Është e sigurt të thuhet se ai është rritur para kohe në ekipe me “nën” në emërimet e tyre.

“Është kënaqësi ta stërvisësh atë”

Kuptohet që trajneri i Dortmundit, Lucien Favre pret me padurim të shohë se çfarë mund të bëjë i diplomuari i tij i fundit i akademisë në ekipin e profesionistëve. “Ai është shumë i mirë dhe ka një potencial të madh,” tha Favre, i cili e ka mirëpritur Moukokon në seancat stërvitore për profesionistët në Dortmund që nga janari, para se kufizimet e COVID-19 ta bënin këtë më të vështirë për lojtarët e rinj. “Ai nuk e di me cilën këmbë po luan! Ai është shumë efikas me të dyja – është bukur ta shohësh atë dhe është kënaqësi ta stërvisësh”.

Kjo do të thotë që vija aktuale e frontit të Dortmundit ka shumë për të ofruar. Haaland, Gio Reyna dhe Jadon Sancho mund të konsiderohen si vija e parë më tërheqëse e brezit të ri të sulmuesve në Evropë, dhe me Moukoko që ka të ngjarë të përdoret si zëvendësues i Haaland, ekipi i Dortmund ka mjaft potencial në sulm.

Me famën shtohet pritshmëria dhe me këtë rritet edhe presioni. Dortmundi po planifikon ta mbajë Moukkoko sa më gjatë të jetë e mundur të mbrojtur nga grackat e mundshme si dhe larg syrit të medias derisa ai të arrijë moshën e pjekurisë 18 vjeç. Sancho erdhi tek Dortmundi kur ishte 17 vjeç dhe pjekurinë e mbërriti në sezonin e dytë, një klub që di të menaxhojë talentet e reja. Edhe për Moukoko nuk mund të presësh mrekulli brenda natës, ndonëse tifozët janë të etur për këtë.

Fillime modeste

Për Moukoko, rrugëtimi i tij deri në këtë pikë suksesi zë fill që nga maji i vitit 2009. Vetëm katër vjeç, ai ra në dashuri me futbollin ndërsa shikonte gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve midis Chelsea dhe Barcelona në televizor në shtëpinë e gjyshërve të tij në qytetin e tij të lindjes, kryeqyteti i Kamerunit, Yaounde.

Vetëm pesë vjet më vonë, ai u fut në rrugën e duhur për t’u bërë një futbollist profesionist në Gjermani, veçanërisht Shën Pauli i Hamburgut, ku u bashkua me babanë e tij në akademinë e klubit. Dy vjet më pas, Dortmundi tashmë e kishte rrëmbyer atë dhe e kishte transferuar në akademinë e të rinjve. Një shenjë e hershme e vëmendjes që Moukoko pati, BVB e futi atë drejt në anën e tyre nën-17 si një 12-vjeçar. Nike, i cili gjithmonë ka nuhatje për një super yll që lulëzon, gjithashtu e lidhi atë me një marrëveshje sponsorizimi afatgjatë me të ardhura të majme.

As që mund ta mendonit se Moukoko, i cili tashmë ka përfaqësuar Gjermaninë në nivelin nën-20 vjeç këtë sezon, është një nga lojtarët e rinj më të përfolur në botë i vendosur tashmë në Dortmund. Ai jeton në një kabinë 18 metra katrorë në qendrën e trajnimit të Dortmundit, por tashmë ka mundësitë financiare për t’u kujdesur për prindërit e tij, të cilët ende jetojnë të dy në Hamburg.

“Kam lexuar atë që shkruajnë mediat, por nuk bëj presion mbi veten time,” tha Moukoko për faqen e internetit të Dortmundit në një intervistë të rrallë gjatë, së cilës klubi la të kuptohej se ai mund të paraqitej në Berlin.

Futbolli është një sport kaq profesional sa që talentet adoleshente mund të dallohen dhe të përgatiten për të qenë të gatshëm të bëjnë debutimet e tyre sapo të bëhen 16 vjeç. Debutimet për lojtarët e moshës dhe përvojës së Moukoko ka të ngjarë të bëhen më të zakonshme në të ardhmen. Por pyetja për Moukoko është nëse ai do të kujtohet në vitet që vijnë për më shumë sesa vetëm moshën e tij. /DW/

Top Channel