Jemi në një betejë ,jemi në një luftë të gjeneratës sonë ka deklaruar zëdhënësi i kabinetit Mitsotakis mesditën e së hënës duke dhënë një pasqyrë të orëve dramatike që kalon Greqia në përballimin e pandemisë.
Në një përpjekje të re të qeverisë ,një spital fushor është drejt përfundimit jashtë Spitalit Ushtarak 424 në Selanik, për t’i ardhur në ndihmë spitaleve të tjera civile të qytetit që janë të mbushura përtej kapaciteteve me pacientë me Covid-19.
Njësia do të ketë 50 shtretër spitalorë dhe një laborator radiologjie, të nevojshëm për diagnostikimin e efekteve të koronavirusit.
“Ky spital fushor është ngritur në rast situatash të vështira dhe emergjencash, brenda kornizës së planifikimit që forcat e armatosura greke gjithmonë kanë në gatishmëri“, tha Alkiviadis Stefanis, zëvendësministri i Mbrojtjes në Greqi.
Pasditen e së hënës autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se në gjithë vendin kapaciteti i dhomave të intubimit ka arritur në 86%, 81% në Athine dhe 99% në Greqinë e veriut. Gjithashtu situata në veri të vendit e sidomos në Selanik konsiderohet tepër e rrezikshme pasi vetëm gjatë muajit nëntor kanë humbur jetën mbi 1000 të sëmurë, 117 prej tyre që janë intubuar në fillim,kanë qenë nën 65 vjeç.
Greqia ka regjistruar edhe gjatë ditës së hënë numër të lartë viktimash, 84, ndërkohë qe edhe numri i të intubuarve shkon përtej çdo rekordi në 549. Por për herë të parë pas shumë ditësh vihet re një rënie e numrit të rasteve të përditshme të të prekurve që gjatë 24 orëve të fundit kanë qenë vetëm 1388.
Përsëri vatra më e nxehtë mbetet Selaniku me 300 raste i ndjekur nga Athina me 252 të prekur. Ajo që vihet përsëri re nga specialistët është se tashmë numri më i madh i të prekurve, 46.7% i takon grupmoshës 40-64 vjeç .
Top Channel