Qeveria australiane njoftoi se ka krijuar një fond prej 18 milionë dollarësh amerikanë për mbrojtjen e koalave në atë vend.
Ministrja e Mjedisit, Sussan Ley, tha se fondi u krijua për të rishikuar situatën dhe për të ndihmuar në ruajtjen e një specie endemike të prekur nga zjarret shkatërruese që së fundmi kapluan Australinë.
“Fondi do të financojë kërkimin shkencor, kujdesin veterinar dhe restaurimin e habitateve kryesore të koalës, si dhe zbatimin e programeve të mbrojtjes nga zjarri”, tha ministrja Ley.
Ajo gjithashtu tha se është mjaft e qartë që koala është një nga speciet më të rrezikuara, por që shkencëtarët paralajmërojnë për mungesë informacioni në lidhje me gjendjen e kësaj specieje.
Fondi gjithashtu do të financojë luftën kundër sëmundjes së klamidisë (Chlamydia trachomatis), e cila është një nga shkaqet më të zakonshme të vdekjes së koalës. Më shumë koala në vit vuajnë nga përplasjet me makina në rrugë, ndërsa fondi do të financojë gjithashtu një fushatë parandaluese për të rritur ndërgjegjësimin e shoferëve.
Top Channel