​Hoti: Deklaratat e zëvendëskryeministrit Selmanaj janë duke u shtrembëruar

23/11/2020 13:56

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se deklaratat e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj rreth çështjes së personave të pagjetur janë duke u shtrembëruar nga persona të caktuar.

I pyetur se a do ta shkarkojë zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, Hoti tha se nëse do të kishte një element më të vogël në deklaratat e tij që do t’i bënte të ndihen keq familjarët e të pagjeturve, do të merrte veprimet e duhura, por që tha se e vërteta nuk është ashtu.

Ai tha se nëse ka pasur përkushtim për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve ndonjëherë ka në këtë qeveri, derisa theksoi se nuk ka munguar angazhimi as në qeveritë paraprake. Ai tha se tash për shkak të angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë edhe me marrëveshjen e Uashingtonit edhe në procesin e dialogut në Bruksel tema e të pagjeturve është e para që diskutohet.

“Deklaratat që i ka dhënë z.Selmanaj janë totalisht duke u shtrembëruar nga persona të caktuar. Nëse do të kishte një element më të vogël në bindje ose në deklaratat z.Selmanaj ose te cilido anëtarë të qeverisë, jo të stafit politik po cilido zyrtar të shtetit që do të binte ndesh me parimet e funksionimit tone dhe që në çfarëdo forme do të cenonte ose do të fyente, do t’i bënte të ndihen keq familjarët e të pagjeturve unë i pari i qeverisë do t’iu kërkoja falje atyre dhe do të merrja menjëherë veprimet e duhura, por e vërteta nuk është ashtu. Nëse dikush nga familjarët e të pagjeturve ose kushdo tjetër është ndjerë keq nga informatat e shtrembëruara për deklarimet e z.Selmanaj edhe për atë iu kërkojë falje, por e vërteta nuk qëndron ashtu siç po thuhet publikisht”, tha ai./Kosova Press/

Top Channel