Vaksina e Pfizer/ Shpërndarja nis në muajin dhjetor

21/11/2020 02:53

Bashkëthemeluesi i kompanisë BioNTech, Ugur Sahin pohoi se vaksina kundër COVID-19 të cilën po e zhvillojnë në bashkëpunim me gjigandin farmaceutik amerikan Pfizer, mund të dalë në përdorim para vitit të ri në SHBA dhe Europë.

Ai konfirmoi se aplikimi për autorizimin e përdorimit urgjent, u bë brenda ditës.

‘Jemi duke punuar me shpejtësi të madhe. Ekziston një shans që të mund të marrim miratim të shpejtë nga SHBA-ja dhe Europa dhe madje të fillojmë ta shpërndajmë vaksinën muajin e ardhshëm, gjithmonë nëse të gjitha palët bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën’- tha Ugur Sahin.

Vaksina e BioNTech dhe Pfizer si dhe ajo që është duke u prodhuar nga firma amerikane Moderna kanë marrë kryesimin në garën për prodhimin e një vaksine efikase kundër Covid-19.

Të dhënat e testeve të tyre në shkallë të gjerë treguan se ishin të efektshme në masën 95%. Lajmet për zhvillimin e vaksinave kanë ushqyer shpresat se pandemisë që nisi nga Kina, ka infektuar më shumë se 56 milionë njerëz dhe ka shkaktuar mbi 1.3 milion vdekje në mbarë botën, do t`i vijë fundi.

Është vendosur që të parët, vaksinat anti covid t’i marrin punonjësit shëndetësorë, stafi dhe të moshuarit në azile pleqsh si personat e tjerë që konsiderohen si më të rrezikuar prej saj. Çmimi i vaksinës BioNTech dhe Pfizer pritet të jetë rreth 17 euro për dozë, ndërsa 28 ditë pas të parës, duhet marrë dhe një dozë e dytë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA