Nxënësit italianë mësojnë jashtë shkollave në protestë të mbylljes prej Covid-19

21/11/2020 20:59
Anita Iacovelli (majtas) dhe shoqja e saj Lisa Rogliatti. para shkolles se tyre te mbyllur

Lëvizja nisi fillimisht me 12-vjeçaren Anita Iacovelli në Torino, e cila thotë se kërkon të përhapë mesazhin se shkollat janë të sigurta.

Temperaturat kanë rënë ditët e fundit në qytetin e Italisë së veriut Torino, por kjo nuk e ka ndaluar Anita Iacovelli të vijojë protestën e saj kundër mbylljes së shkollave.

Çdo ditë që prej 6 nëntorit, kur u mbyllën të gjitha shkollat në rajonin e Piedmont prej infektimeve të koronavirusit, 12-vjeçarja me kapele, doreza dhe maskë, është ulur jashtë shkollës së saj Italo Calvino duke vazhduar mësimin në distancë me një kompjuter tabletë, teksa prapa ka një mbishkrim ku thuhet “Të mësosh në shkollë, është e drejta jonë”.

Shpejt Anitës iu bashkuan shoqja e saj Lisa Rogliatti dhe të tjerë nga klasa, para se lëvizja të fitonte vrull në të gjithë Italinë.

“Në fillim kur ata njoftuan se do të mbylleshin shkollat ne ishin të lumtur pasi po afronin provimet dhe menduam se do të shpëtonim, por situata u bë shumë e rëndë dhe nuk duronim dot”, thotë Anita për të përditshmen britanike Guardian.

Shkollat u hapën në shtator në Itali, por vetëm pas disa javësh ato u rikthyen ‘online’, prej valës së dytë të koronavirusit. “Unë nuk kisha frikë të kthehesha në shkollë, ishte shumë bukur të shikoje shokët, edhe pse për një kohë të shkurtër”, shton Anita.

“Kur mëson kështu ka shumë probleme, ndalon lidhja e internetit dhe duhet të përsërisësh detyrën. Por ky nuk është i vetmi problem, disa nuk kanë fare internet, nuk kanë hapësirë për të mësuar apo prindërit nuk mund t’i mbështesin”.

Protesta e saj tërhoqi vëmendjen e ministres së arsimit Lucia Azzolina, e cila foli me Anitën dhe tha se do të punojë për të hapur shkollat “sa më parë të jetë e mundur”.

Nëna e saj Christiana Perrone e ka shoqëruar të bijën në protestë. Anita, lënda e preferuar e të cilës është matematika, thotë se nuk e di çfarë dëshiron të bëhet kur të rritet, por kerkon të bëjë diçka që të ndihmojë shkollat.

“Unë dua të bëj diçka që t’i japë shkollave rëndësinë që ato duhet të kenë”, thotë ajo. /TheGuardian/

FOTO GALERI
1/3
Shpejt Anitës iu bashkuan shoqja e saj Lisa Rogliatti dhe të tjerë nga klasa, para se lëvizja të fitonte vrull në të gjithë Italinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA