Pas pauzës për shkak të ndeshjeve të Kombëtares rikthehet Kategoria Superiore me javën e tretë të saj ku nuk mungojnë përballjet shumë interesante.
Vëmendja më e madhe do të jetë në Shkodër ku në “Loro Boriçi” do të luhet ajo që konsiderohet “klasikja” e futbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranës. Vllaznia e ka nisur në mënyrë perfekte këtë sezon, teksa ka fituar 2 ndeshjet e para në kampionat, ndërkohë që Tirana vjen në këtë përballje pas 2 humbjeve radhazi, e dyta solli edhe eliminimin në Kupën e Shqipërisë e si pasojë edhe shkarkimin e Emanuel Egbosë që u zëvendësua nga Nevil Dede.
Në Durrës do të luhet ndeshja mes Teutës dhe Kukësit. Teuta ka grumbulluar 4 pikë në 2 javët e para dhe tani do të kërkojnë të marrin 3 pikët ndaj skuadrës verilindore që e ka nisur shumë keq kampionatin pasi ka humbur 2 sfidat e para në këtë sezon. Për më tepër Kukësi ka edhe mungesa në radhët e tij për shkak të Covid-19, pasi të prekur janë pikërisht trajneri Gega dhe dy futbollistët Cooper dhe Hetemaj.
Skuadra tjetër kryeqytetase, Partizani do të presë Laçin në një ndeshje që do të luhet në “Elbasan Arena” ku do të kërkojë të konfirmoje fitoren e arritur ndaj Kukësit, përpara 2 javësh. Nga ana tjetër Laçi nuk po gëzon një formë shumë të mirë me kurbinasit që kanë marrë vetëm 2 pikë në 2 ndeshjet e para të kampionatit. Ndërkaq më herët në orën 13:45, do të luhet Bylis-Skënderbeu në stadiumin “Adush Muca”, ku secila prej skuadrave do të kërkojë të marrë 3 pikët e para në kampionat, ndërsa në stadiumin e Kamzës do të jetë përballja mes dy skuadrave që janë ngjitur këtë sezon në kategorinë Superiore, Kastriotit dhe Apolonisë. Ndeshjet e Kategorisë Superiore do të transmetohen në platformën DigitAlb.
Top Channel