Kryeministri Edi Rama dhe Luigi Di Maio Ministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Italian, firmosën marrëveshjen për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm Shqipëri-Itali me fokus intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik.
“Tema për të cilën do të angazhohemi menjëherë është tema për planin e investimeve për Ballkanin I cili ka tre shtylla kryesore, transport e infrastrukturë,energji dhe dixhitalizim dhe në dy shtyllat e para Italia ka ekspertizën e cmuar në arenën ndërkombëtare dhe ka vullnetin për të qenë pranë nesh”.
“Marrëdhëniet tona ekonomiko tregtare janë tashmë shumë të fuqishme. Por ne duhet të bëjmë edhe më mirë. Ne shpresojmë për një shtim të prezencës së arsimit italian në Shqipëri duke e shtrirë mësimdhënien e gjuhës italiane edhe në shkollat teknike dhe profesionale. Kjo do të ishte në një linjë me stadin e bashkëpunimit ekonomik”.
Luigi Di Maio u ndal edhe integrimin e Shqipërisë drejt BE.
“Objektivi ynë më i ardhshëm do të jetë të punojmë që të thirret konferenca e parë ndërqeveritare mes BE, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht ndalesës që pësoi ky proces këtë javë, në Këshillin e çështje të përgjithshme të BE, do të nxisim vendet e unionit përsa i përket nisjes të konferencës që përmenda”.
Lufta me Covid kërkon një sforcim të përbashkët tha ministri Di Maio ndërsa kryeministri Rama foli për përpjekjet në sigurimin e vaksinës anti-covid.
“Italia falë kësaj lidhje të veçantë është pranë nesh siç është BE që vendet e rajonit mos të mbeten prapa në garantimin për personelin mjekësor sipas radhës për mësuesit, forcat e policisë e të popullatës më tej”.
Top Channel