Mjekët ‘rrëzojnë’ Bashën: Nuk është e vërtetë që po fshihen vdekjet nga covid, të hapur të hetohet çdo kartelë

20/11/2020 09:41

Të gjithë mjekët që po përballen me pandeminë kanë dalë në një deklaratë publike pas akuzave dhe deklaratave të kreut të PD Lulzim Basha se po fshihet numri i vërtetë i vdekjeve nga covid në vend.

Mjekët në mënyrë kategorike i mohojnë këto deklarata të Bashës dhe i cilësojnë goditje ndaj punës së tyre.

“Shprehim publikisht habinë për deklaratën e Bashës dje në një emision televiziv. Goditje e akuza të përpjekjeve tona gjithë këto muaj.

Përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë publikun se, nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga covid, është praktikisht e pamundur, pasi çdo pacient që ndërron jetë përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese që përmban dhe arsyen e vdekjes , e cila është firmosur dhe vulosur m e përgjegjësi profesionale dhe ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit”, thotë mjekja Najada Çomo.

Mjekja Çomo vijon deklaratën duke thënë se janë të gatshëm ndaj hetimeve për çdo kartelë mjekësore:

Shkakun e vdekjes së një personi nuk e përcaktojnë dot politikanë, përveç mjekut përkatës. Kartelin e të ndjerit nuk e dyshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje humanizmin e autorit të tyre. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me deklaratat e tilla.

Bëj me dije se nëse akuza përsëritet ne do ftojmë organet kompetente të hetojnë dhe bëjnë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Nuk do ta lejojmë këtë pa një ballafaqim qoftë ligjor apo miqësor. Duhet t’i jepet fund praktikës politike se të lojës me vdekjen që ka sjell jo pak telashe në 30 vjet në jetën e bluzave të bardha. Kjo dalje jashtë shinave të së vërtetës në një kohë si kjo janë tejet të rrezikshme, deklaratat e figurave politike në këtë kohë duhet të jenë krejt të kundërta”, tha ajo. 

Top Channel